Kocevski: nga ana e Prokurorisë Publike nuk rrjedhin informacione
Prokurori republikan Lupço Kocevski garanton se nga ana e Prokurorisë Publike nuk rrjedhin informacione, duke pasur parasysh se një numër i madh i të dyshuarve janë të pakapashëm për organet e rendit. Ai theksoi se nuk ka të dhëna për vendndodhjen e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ndërsa për ish-drejtorin e EMV-së, Vasko Kovaçevski, i cili është i dyshuar në një rast tjetër, Kocevski ka shpjeguar se nuk kanë kërkuar paraburgim sepse dënimi i paraparë është deri në pesë vjet burg, njofton AIM, përcjell Nistori.
Në pyetjen se gjithnjë e më shumë shikojmë se të dyshuarit nuk janë të kapshëm për organet e zbatimit të ligjit, apo nga vijnë informacionet, konkretisht për operacionin kundër grupit Bellanoca në të cilin pesë të dyshuar nuk janë në dispozicion, Kocevski në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REË) theksoi se nga ana e PP nuk ka rrjedhur asnjë informacion.
“Në këtë drejtim, si prokuror i shtetit, mund t’ju garantoj se nga Prokuroria Publike nuk po rrjedh asnjë informacion se ato hetime paraprake, ato masa monitoruese kanë qenë aktive me muaj dhe më parë, dhe asnjëra prej tyre nuk ka depërtuar. Aksioni u prish në fazën përfundimtare, pra dy ditë para nisjes zyrtare të aksionit. Pikërisht në këtë rrethanë Prokuroria Publike po heton për të zbuluar se “kush është nishani” pas operacionit, por ka arritur të kryejë aksionin dy ditë përpara afatit dhe të arrestojë disa nga të dyshuarit”, theksoi ai.
Ndërkaq, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti tha se Artan Grubi nuk është në arrati, pasi është në trojet shqiptare, duke i dhënë konotacion entik arratisë së numrit dy të deridjeshëm të partisë. Në një deklaratë nga Prishtina, Ali Ahmeti, foli në emër të Grubit, duke thënë se ai është i gatshëm të përgjigjet, por jo me drejtësi selektive.
“Zotëri Grubi, sipas informatave që i kam, nuk e kam takuar, është mirë. Vendndodhja e tij akoma është, sigurisht që është dikund në hapësirat shqiptare. Është një proces që duhet të marrë epilog. Artan Grubi nuk është arratis nga Maqedonia, Artan Grubi është i gatshëm të përgjigjet para organeve të drejtësisë, të respektojë ligjet, por jo me drejtësi hakmarrëse e selektive”, deklaroi Ahmeti. /Nistori/