Nga data 18.06.2024, aplikuesit e kualifikuar, që parashtrojnë kërkesë për vizë, tani mund t’i përgatisin dokumentet edhe online përmes Portalit për shërbime konsullore. Në portalin për shërbime konsullore, si person i kualifikuar, mund të kërkoni që paraprakisht të bëhet shqyrtimi i kërkesës suaj nga Zyra e vizave, njoftoi Ambasada e Gjermanisë së Shkup.
“Pasi të keni krijuar profilin tuaj personal, të keni plotësuar formularin e kërkesës dhe t’i keni ngarkuar dokumentet mbështetëse, do të merrni një informatë kthyese të drejtpërdrejtë nga Zyra e vizave. Ju do të keni një mbështetje individuale gjatë përpilimit dhe përgatitjes së dokumenteve tuaja”, thonë nga Ambasada gjermane.
Sapo kërkesa juaj të jetë e plotë, do të keni mundësinë të regjistroheni për datën e dëshiruar për termin. Kur do të vini personalisht në terminin e caktuar, do të duhet të sillni vetëm dokumentet dhe certifikatat që kërkohen në chek-listën e individualizuar, të cilat duhet të dorëzohen në origjinal.
“Dublikate apo kopje të dokumenteve tuaja nuk do të jenë më të nevojshme. Ky thjeshtësim i procedurës është në dispozicion vetëm për persona të kualifikuar me arsimim të njohur profesional dhe akademik (krah. §§18a & b Ligji për qëndrim), si dhe për parashtrues të kërkesës për Kartën Blu (krah. §18g Ligji për qëndrim)”, shtojnë nga ambasada gjermane Shkup.
Qeveria gjermane modernizoi vitin e kaluar ligjin e migracionit duke lehtësuar rregullat për ardhjen e fuqisë punëtore në Gjermani. Nga 1 Qershori dy rregulla të rëndësishme edhe për Ballkanin hyjnën më në fund në fuqi.