Antikorrupsioni kërkon nga Këshilli Gjyqësor t’i tërheq anëtarët e propozuar

    Komisioni për parandalimin e korrupsionit i përgjigjet Këshillit Gjyqësor për vendimin e një dite më parë që të mos tërheqë anëtarët e propozuar nga Bordi Drejtues i Akademisë për Gjykatës dhe Prokuror Publik. Mos veprimin e këshillit, antikorrupsioni e vlerëson si shkelje ligji. Anëtarët e Antikorrupsionit sot i rikujtuan anëtarët e Këshillit Gjyqësor se ligjet vlejnë njëlloj për të gjithë dhe duhen respektuar.

    “Përsërisim qëndrimin e miratuar në seancën e mbajtur më 8.11.2024, se vendimet e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publik për emërimin e anëtarëve të Bordit Drejtues të Akademisë së Gjykatësve dhe Prokurorëve Publik nuk janë në përputhje me Ligjin për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktin e interesave dhe Ligjin e akademisë për gjykatës dhe prokurorë publik. Neni 9 përcakton qartë se anëtarët duhet zgjedhur nga radhët e gjykatësve dhe prokurorëve publik dhe jo dy këshillat anëtarët në bord t’i zgjedhin nga radhët e tyre”, njoftojnë nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

    Ambasadorja amerikane, Angela Aggeler tha shkurt se ligjet duhet respektuar duke i kujtuar kështu edhe Këshillit Gjyqësor dhe anti-korrupsionit qartë se çfarë duhet të ndërmarrin.

    “E dini, nuk kam mendim të veçantë për këtë sepse nuk i kam të gjitha detajet, por e di që është jashtëzakonisht e rëndësishme që këto akuza, komente dhe rekomandime të shqyrtohen me shumë kujdes dhe duhet të shqyrtohen në mënyrë në të cilën publiku do të marrë shpjegim se cilat çështje do të shtrohen dhe pse dhe cili është motivi prapa këtyre hulumtimeve . Kështu që shpresoj të mësoj më shumë për këtë çështje njëjtë si ju”, deklaroi Angela Aggeler, Ambasadore e SHBA-ve në Shkup.

    Këshilli Gjyqësor në seancën e djeshme u desh t’i tërheq nominimet e Hanif Zendelit dhe Antoineta Dimovska për anëtarë të bordit drejtues në Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publik, por në vend të kësaj anëtarët e këshillit vendosën që të mos veprojnë sipas kërkesës së anti-korrupsionit. Vesna Dameva e cilësoi vendimin e anti-korrupsionit skandaloz, ndërsa anëtarët e tjerë mbështetën atë në këtë vendim, duke dhënë kështu hapësirë për krijimin e konfliktit të interesit posaçërisht gjatë miratimit të listës përfundimtare për gjykatës dhe cenimin e komisionit vlerësues prej 5 anëtarëve. Krahas luftës që Këshillit Gjyqësor zhvillon me anti-korrupsionin, Këshilli i Prokurorëve Publik i cili gjithashtu duhhet t’i tërheq anëtarët e propozuar, mbrohet në heshtje duke mos dhënë sinjale deri tani se do të respekton vendimin e anti-korrupsionit. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Përplasje mes deputetëve në Kuvend

    Lajmi i rradhës

    Thikë mu në zemrën e shoqërisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë