Konkurset për pranimin e punonjësve në institucionet shëndetësore në territorin e komunës së Graçanicës, afër Prishtinës, janë anuluar në mbrëmjen e 5 prillit, pasi për disa ditë banorët e pakënaqur lokalë kanë protestuar, duke argumentuar se vendet e punës po i ftonin “personat e përshtatshëm”, të afërt me Listën Serbe.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe ky subjekt gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Megjithatë, në vendimin e publikuar në faqen zyrtare të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Graçanicë, thuhet se konkurset për pranimin në marrëdhënie pune janë anuluar “për shkak të skadimit të afatit prej 30 ditësh për marrjen e vendimit për përzgjedhjen e kandidatëve”.
Institucionet shëndetësore në zonat me shumicë serbe në Kosovë funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, dhe konkurset për vende të reja pune janë shpallur nga Ministria e Shëndetësisë e Serbisë në fund të janarit. Pranimi i punonjësve të rinj në sektorin e shëndetësisë përkoi me fushatën parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, të mbajtura më 9 shkurt, ku garoi edhe Lista Serbe.
Kryetari i kësaj partie, Zllatan Elek, gjatë fushatës zgjedhore deklaroi se “në periudhën e kaluar, shteti i Serbisë ka siguruar një numër të madh vendesh pune dhe se kjo është një nga mënyrat për të mbijetuar [në Kosovë]”.
Elek është gjithashtu drejtor i Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut, njëra nga katër komunat në veriun e Kosovës, të banuara me shumicës erbe.
Dhjetëra banorë, të cilët ditët e fundit kanë protestuar përpara Qendrave të Mjekësisë Familjare në Graçanicë, Uglar dhe Gushtericë të Poshtme, kanë deklaruar se punën në këto institucione shëndetësore e kanë marrë vetëm personat e afërt me Listën Serbe, dhe se disa prej atyre që janë punësuar, madje, nuk jetojnë fare në Kosovë.
Petar Gjorgjeviq nga Graçanica theksoi se ndaj personave që kanë protestuar është ushtruar presion, teksa u ka bërë thirrje të gjithëve që “t’i dokumentojnë kërcënimet”.
Radio Evropa e Lirë më 4 prill iu drejtua edhe Listës Serbe për të komentuar mbi akuzat e qytetarëve lidhur me punësimet partiake dhe presionet ndaj tyre, por ky subjekt politik nuk kanë kthyer përgjigje. Për akuzat e protestuesve lidhur me konkurset nuk janë përgjigjur as nga Ministria e Shëndetësisë e Serbisë, e cila është përgjegjëse për institucionet në zonat serbe në Kosovë, që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë. /REL/