Si asnjëherë më parë turizmi në Shqipëri po përjeton sezonet më të rënda. Dita-ditës vijnë pamje me plazhe bosh dhe pa turistë në bregdetin shqiptar. E tërë kjo situatë i referohet rritjes enorme të çmimeve të papërballueshme për pushuesit nga vendet e Ballkanit.
Kjo ka bërë që pushuesit të orientohen drejt Turqisë ku edhe pse ka rritje të çmimeve megjithatë kjo në krahasim me rivierën shqiptare nuk është shumë, prandaj më shumë qytetarë të Tetovës orientohen në drejtim të Turqisë. Kështu thonë nga Agjencitë turistike në Tetovë, të cilët tradicionalisht organizojnë udhëtime për pushuesit në Turqi dhe Shqipëri.
Antalia mbetet destinacion i preferuar për qytetarët e Tetovës, shkaku i çmimeve më të lira. Shkaku i rritjes së çmimeve në Shqipëri, shumë qytetarë të Tetovës pasi që kanë bërë rezervime në plazhet e Shqipërisë, të njëjtit i kanë anuluar sepse çmimet janë rritur në mënyrë enorme. Ata i kanë anuluar pushimet në Shqipëri dhe më pas janë orientuar për në Turqi.
“Interesimi më i madh është për pushime në Turqi.Kemi pasur interesime edhe për në Shqipëri, por kemi qytetarë që i kanë anuluar rezervimet për në Shqipëri dhe më pas kanë rezervuar për në Turqi. Kjo është edhe për shkak të rritjes së çmimeve, prandaj më shumë kemi interesim për në Turqi, respektivisht për në Antali”, deklaroi Albana Bislimi, nga Agjencia turistike “Euro Turist”.
Megjithatë, ka edhe prej tyre që ende nuk e ndryshojnë Shqipërinë si destinacion për të kaluar pushimet. Por, ka edhe prej tyre që nuk kanë mundësi të udhëtojnë shkaku i krizës ekonomike. Qytetarët janë shprehur se nuk mund të ndajnë para për pushime, kurse ka edhe prej tyre që tashmë janë kthyer nga pushimet. Tetovarët shprehen se me pagat e ulëta është problem që të shkohet në pushim.
”Nuk mund të shkojmë në pushim. Pensionin e harxhoj për barna dhe ilaç, çmimet janë rritur dhe nuk mund t`ia dalim në fund muajit me këto pensione të ulëta dhe për pushime as që bëhet fjalë” thotë një pensionist tetovar.
Sipas raportimeve të mediave në plazhet e Jugut të Shqipërisë një çadër kushton 20 euro, ndërkaq edhe produktet e tjera ushqimore janë shtrenjtuar. Edhe në plazhet e tjera bregdetare, turistët janë ankuar për rritjen enorme të çmimeve. Apartamentet që vitin e kaluar mund të gjendeshin edhe me 25 euro, sivjet variojnë nga 30 deri në 100 euro për një natë, ndërsa dhomat në hotele nga 100 deri në 500 euro. Vitin e kaluar, media ndërkombëtare e renditën Shqipërinë si një ndër destinacionet më interesante të atij sezoni veror, qoftë për plazhet, zonat malore, ushqimet apo edhe çmimet e volitshme.
“Turizmi masiv i ka sjellë vendit shumë të ardhura, por duhet të synojmë majat e industrisë turistike botërore”, tha atë kohë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. /Koha/