Apeli në Shqipëri mban në fuqi dënimin me dy vjet burgim për Belerin

    Gjykata e Posaçme e Apelit në Shqipëri vendosi të martën ta mbajë në fuqi dënimin e Alfred Belerit, kryetarit të zgjedhur të bashkisë së Himarës, me dy vjet burgim për vjedhje votash, duke e rrëzuar ankesën e tij.

    Në mars, Gjykata e Posaçme e dënoi Belerin me dy vjet burgim për akuzën e vjedhjes së votave në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023.

    Beleri dhe avokatët e tij mbrojtës i kanë cilësuar akuzat si politike dhe të pabazuara, por Apeli vendosi ta mbajë në fuqi aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë për dënimin e tij me dy vjet burgim.

    Seancën e së martës e ndoqi nga salla e gjyqit edhe ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi.

    Ajo tha për media pas seancës se “bashkia e Himarës ende drejtohet nga persona që nuk janë zgjedhur nga votuesit”.

    Apeli e shqyrtoi kah mesi i qershorit ankesën e Belerit, por e shtyu marrjen e vendimit për 25 qershor.

    Beleri fitoi ulëse në Parlamentin Evropian si përfaqësues i partisë udhëheqëse në Greqi, Demokracia e Re, në zgjedhjet e qershorit.

    Zgjedhja e Belerit si deputet i Parlamentit Evropian shkaktoi polemika – si për legjitimitetin e tij, ashtu edhe për ndikimin e rastit të tij në integrimin evropian të Shqipërisë.

    Juristë dhe ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se rasti i tij ngre shqetësime kushtetuese dhe ligjore.

    Sipas tyre, ai mund të ndikojë edhe në përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por edhe në marrëdhëniet e saj me Greqinë.

    Beleri, me shtetësi shqiptare dhe greke, ishte kandidat i opozitës për kryetar të Bashkisë së Himarës – qytet i banuar edhe me popullsi greke në jug të Shqipërisë – në zgjedhjet e majit të vitit 2023.

    Ai u arrestua pak ditë para zgjedhjeve nën dyshimet për blerje votash.

    Pavarësisht se ishte në paraburgim atëkohë, Beleri i fitoi zgjedhjet, por nuk u betua asnjëherë. Në mars të këtij viti u dënua me dy vjet burgim.

    Rasti nxiti kritika të mëdha në Athinë, ku Ministria e Jashtme tha se “dënimi dyvjeçar është padyshim joproporcional me masën e veprës së supozuar”.

    Partia e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, e emëroi pastaj kandidat për zgjedhjet për Parlamentin Evropian, të cilat u mbajtën nga data 6 deri më 9 qershor, ku ai u zgjodh. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Gjyqtarët kushtetues morën kërcënime nga ish-deputeti Samka Ibraimoski

    Lajmi i rradhës

    Pesë ushqimet që mund të hani gjatë gjithë kohës pa u shëndoshur

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë