Ardhja e mërgimtarëve ka shtuar aktivitetet e personave që kërkojnë lëmoshë në rrugët e Pollogut

    Ardhja e mërgimtarëve në vendlindje gjatë verës ka shtuar edhe aktivitetet e personave që kërkojnë lëmoshë në rrugët e Pollogut. Të njëjtit hasen në pjesët qendrore të qytetit të Tetovës dhe të Gostivarit, ku edhe është më i madh numri i qytetarëve që frekuentojnë gjatë ditës. Këtë e shfrytëzojnë personat që kërkojnë lëmoshë, por nuk mungojnë edhe rastet e keqpërdorimeve të fëmijëve të mitur, të cilët lihen të vetëm në rrugë për të kërkuar lëmoshë. Zakonisht këta fëmijë sillen nga qytetet tjera dhe lëshohen në rrugët e dy qyteteve të Pollogut, përkatësisht Tetovë dhe Gostivar.

    Nga Qendra për Punë Sociale në Gostivar njoftojnë se gjatë kësaj periudhe të vitit, kur ka edhe kthim të mërgimtarëve në vendlindje, gjithnjë ka rritje të numrit të lypësve në rrugët e qytetit të Gostivarit. ”Me këtë rast është i madh edhe numri i lypësve që vijnë nga qytetet tjera. Për këtë arsye, ekipet e qendrës për punë sociale në Gostivar dhe pjesëtarëve të policisë kanë intensifikuar praninë e tyre në terren me qëllim të kapjes dhe dorëzimit të atyre personave në qendrat sociale nga ata vijnë”, thonë nga Qendra Ndërkomunale për Punë Sociale në Gostivar.Advertisements

    Nga kjo qendër thonë se shpeshherë të rriturve që kërkojnë lëmoshë, u tërhiqet vërejtje të mos dalin me fëmijë në rrugë dhe të mos abuzojnë me të miturit. Problem në vete është se këta persona që kërkojnë lëmoshë janë të qyteteve tjera. Ajo që është më tragjike është se në shumë raste këta lypsarë janë fëmijë që keqpërdoren nga ndonjë rrjet i organizuar i bandave të cilët në fund ua marrin të hollat e grumbulluara atyre duke i lënë në mëshirë të fatit.

    Në ndërkohë sipas punëtorëve social fillimisht kur do të takojnë nënë me fëmijë në rrugë i jepet vërejtje me shkrim se fëmijët duhet të dërgohen në shkollë, duhet që të ketë sigurim shëndetësor dhe e tërë kjo bëhet në interes të fëmijëve. Nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë sqarojnë se ky fenomen është në kundërshtim me ligjin për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike, kurse gjobat janë nga 15 deri në 50 euro në kundërvlerë në denarë, ndërsa prindërit të cilët do të përfshijnë fëmijët e tyre në kërkim të lëmoshës dhe do t`i lënë pasdore do të përballen me përgjegjësi penale dhe burg deri në katër vite.

    “Policia sikurse viteve të kaluara në koordinim me institucionet tjera edhe këtë vit do të ndërmarrë aktivitete parandaluese për këtë lloj shkelje dhe punohet në gjetjen e një zgjedhje afatgjate për këtë fenomen në shoqërinë tonë”, thonë nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë. Këta fëmijë, krahas pjesëve qendrore të dy qyteteve poashtu hasen edhe në vendbanime rurale, afër xhamive, bankave dhe qendrave tregtare. Këto lypsa shfaqen si fantazma vetëm gjatë kësaj periudhe dhe më pas zhduken bashkë me shumë të mëdha të mjeteve të grumbulluara nga zemërgjerësia e banorëve të këtij rajoni. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Qytetarët e Shkupit ankohen për çmimet e larta të bukës

    Lajmi i rradhës

    KEQPËRDORIMET ME BALANCUESIN | Maqedonasit shqiptarë, e shqiptarët maqedonas!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë