Marjan Kostovski tre vite punon si konservator në laboratorin e Arkivit të Maqedonisë. Momentalisht, nëpërmjet substancave kimike është duke ripërtërirë një materiali të rëndësishëm arkivor për shtetin, me qëllim që t’i vazhdohet jetëgjatësia për 10 apo 20 vite.
Hapësira ku punon, nuk i përmbush standardet minimale, nuk ka ventilim e madje as dritare për të qarkulluar ajri dhe kjo përbën rrezik për shëndetin. Për këtë, Marjani dhe kolegët punojnë me derë të hapur, ndërsa kohë pas kohe dalin në ambiente të hapura të objektit për t’u ajrosur.
“Pasi kushtet janë ashtu siç janë, momentalisht patjetër të punojmë me derë të hapur pasi nuk kemi ventilim përkatës, pasi kimikatet që i përdorim janë mjaftë dëmshme për njeriun, patjetër t’i shfrytëzojmë ato kushte që i kemi. Shpresojmë në kushte më të mira në laboratorin tonë”, tha Marjan Kostovski, konservator i Arkivit të Maqedonisë.
Në hapësira me myk dhe lagështi, i kryejnë obligimet e përditshme edhe punëtorët që punojnë në sektorin për mbrojtjen e materialit arkivor. Tingëllon ironike, por dokumentet që duhet të ruhen nga myku e lagështia, mbrohen pikërisht në këso hapësira. Punonjësit ankohen se kanë probleme shëndetësore për shkak të erës së mykut që e thithin çdo ditë, ndërsa kohëpaskohe detyrohen që ta dezinfektojnë hapësirën.
“Siç e shihni, kushtet në të cilat punojmë janë me të vërtetë të rënda. E para, nuk përshtatet sipas asaj që duhet, si objekt për këtë qëllim të jetë, nuk kemi ajrosje, myku është gjithandej, janë bërë disa lëshime për të cilat ekspertët duhet të tregojnë çfarë po ndodh, pasi që ashtu siç e patë edhe vetë, tavanet janë depërtuar nga uji edhe në zyrat edhe në depot ku punojmë”. Nuk është kurrfarë sekreti se duke punuar në këso kushte me vite, shëndeti është i rrezikuar”, tha Branisllav Svetozareviq, zëvendës-ndihmës i Sektorit për Mbrojtjen e Materialit Arkivor.
Për kushte jopërkatëse për punë ankohet edhe Darin Gjurçin, i punësuar si bashkëpunëtor më i ri në Arkivin Shtetëror. Ai detyrohet që ta pastrojë pluhurin e materialeve arkivore mes hapësirës së përbashkët me disa kolegë që nuk ka kurrfarë ventilimi, pasi nuk ka vend të posaçëm për pastrim. Problem shtesë paraqet edhe çatia, një pjesë e së cilës është me xham.
“Kjo çati fare nuk hapet, gjatë kohës së verës këtu ka temperatura të tmerrshme të larta. Nxehet, jemi në katin e shtatë e kështu me radhë. Mu në këtë pjesë ku punojmë ne është më e nxehtë dhe jemi në goditje. Dhe plus pluhuri. Vetëm se jemi mësuar… A keni probleme shëndetësore. Sigurisht, një ditë ajo do të pasqyrohet në shëndetin tonë”, tha Darin Gjurçin, bashkëpunëtor i ri në Arkiv.
Përpos kushteve të këqija, punëtorët në Arkivin Shtetëror marrin edhe paga të ulëta. Sipas drejtoreshës, ata ndonëse punojnë punë specifike arkivore, janë të evidentuar si punonjës të thjeshtë administrativ. /Alsat/