Edhe pse arsimi profesional në Maqedoni ka bërë disa hapa përpara gjatë 2024, hendeku në tregun e punës mes profesionistëve dhe punëkërkuesve pa përvojë është i madh. Sipas Fondit Evropian për Trajnimet (EFT) në publikimin e fundit “Trajnimet, arsimi, aftësitë dhe punësimi – Tendencat dhe zhvillimet 2024”, rezultatet treguan Arsimi dhe Formimi Profesional në shumicën e vendeve vazhdon të performojë dobët në lidhje me cilësinë e aftësive dhe kompetencave që u ofrohen të rinjve, krahasuar me ato të të rriturve. Maqedonia e Veriut, së bashku me Turqinë dhe Egjiptin dallohen për një përmirësim në rezultatet që lidhen me aftësitë e ofruara për të rinjtë.
Në tabelën “Cilësia e aftësive dhe kompetencave”, Maqedonia në rang vendi ka një mesatare prej 5.20, përkatësisht të rriturit kanë një performacë prej 23, ndërsa rezultatet e performacës tek të rinjtë janë negative – minus 12.83 pikë.
“Edhe pse dy vite të njëpasnjëshme të monitorimit nuk mjaftojnë për të vendosur një trend të qartë, rezultatet e 2024 sugjerojnë një model të vazhdueshëm të performancës së dobët të të diplomuarve në arsimin profesional dhe punëkërkuesve për herë të parë me aftësitë e nevojshme për të konkurruar efektivisht me punëtorët më me përvojë. Në disa vende, si Maqedonia e Veriut si Armenia, Jordania, Tunizia… hendeku i lidhur me moshën në cilësinë e aftësive dhe kompetencave është veçanërisht i madh”, thuhet në analizë.
Për të rriturit, trendet janë përgjithësisht më negative, me rënie të ndjeshme në disa vende, si Mali i Zi, Ukraina dhe Serbia. Disa vende të tjera, si Egjipti dhe Maqedonia e Veriut, përjashtohen nga ky trend dhe dallohen për një performancë më të mirë në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023 në këtë fushë të monitorimit. Ndërsa vende të tjera, si Shqipëria, Mali i Zi dhe Jordania, kanë shënuar rënie.
“Një faktor tjetër që kontribuon në ndryshimet e lidhura me moshën në nivelet e aftësive mund të jetë se të rriturit në disa vende u arsimuan në periudha kur arsimi dhe tregu i punës ishin më të lidhura se sa sot”, vëren EFT. Në disa të tjera, si Turqia, aftësitë që u ofrohen të rinjve dhe të rriturve janë pothuajse të njëjta në aspektin e cilësisë dhe rëndësisë. Në vende të tjera, si Kirgistani dhe Kosova, të diplomuarit nga arsimin profesional që hyjnë në tregun e punës kanë aftësi më larta sesa kolegët e tyre më të rritur. Të dhënat e paraqitura tregojnë se performanca e sistemit në ofrimin e aftësive dhe kompetencave ka evoluar në drejtime të ndryshme, në varësi të vendit dhe grupit të synuar. /Koha/
