Aleanca për Shqiptarët, krahu i Taravarit, njoftoi se në mbledhjen e mbajtur më 10 prill 2025, Komisioni i Etikës pranë Aleancës për Shqiptarët (ASH) shqyrtoi rastin e Muhsin Arifi, kryetar i Degës së Sarajit dhe Drejtor i Spitalit të Geriatrisë, i dyshuar për marrje ryshfeti nga autoritetet kompetente. Komisioni i Etikës vendosi ndërprerjen e menjëhershme të anëtarësisë së Muhsin Arifi në ASH si dhe shkarkimin e tij nga pozita e Kryetarit të Degës së Sarajit, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga gjykata kompetente, përcjell Nistori.
“Kodit i Etikës së ASH-së kërkon që përfaqësuesit politikë të kenë standarde të larta të integritetit moral, ligjor dhe profesional, dhe që anëtarët e strukturave drejtuese të veprojnë në përputhje me ligjin, Programin dhe Statutin e Partisë, duke shmangur përfitimet personale financiare ose materiale. Bazuar në këtë, Komisioni i Etikës vendosi ndërprerjen e menjëhershme té anëtarësisë së z. Muhsin Arifi në ASH si dhe shkarkimin e tij nga pozita e Kryetarit të Degës së Sarajit, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga gjykata kompetente. ASH nuk do të ketë tolerim për asnjë abuzim, shkelje të ligjit apo të Kodit Etik të Partisë. Qeverisja me duar të pastra nuk është vetëm një slogan, por një obligim moral dhe politik për secilin anëtar të ASH-së, sepse besimi i qytetarëve fitohet dhe mbahet vetëm me përkushtim, ndershmëri dhe integritet”, thuhet në njoftimin e ASH-së.
Ndryshe, drejtori i spitalit për mjekësi geriatrike, Muhsin Arifi, kuadër i ASH-së, përfundoi në pranga, nën dyshimin për marrje ryshfeti prej 20 mijë eurove. Në pranga ka përfunduar edhe një tjetër person i dyshuar si ndërmjetësues. Aksioni i arrestimit u realizua në koordinim mes MPB-së dhe Prokurorisë për Krim të Organizuar.
Muhsin Arifi, në krye të Geriatrisë erdhi në korrik të vitit të kaluar, si kuadër i Aleancës për Shqiptarët, krahu i Taravarit. /Nistori/