ASOCIACIONI | LVV: Tendencë perverse mbi Kosovën

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ritheksuar edhe njëherë që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të ndodh.

    Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Cholet dhe i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë thënë se tani është koha që të themelohet Asociacioni.

    Chollet dhe Escobar thonë se ka pasur shumë diskutime për Asociacionin, por tani sipas tyre, dhe ka ardhur koha të tregohet qartë se çka është ky Asociacion e çka jo.

    “Në përgjithësi, Asociacioni do të ishte strukturë për komunat me popullatë me shumicë etnike serbe për të bashkërenditur çështjet dhe shërbimet si arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban dhe rural dhe zhvillimi ekonomik lokal – me fjalë të tjera, funksionet për të cilat të gjitha komunat në Kosovë janë përgjegjëse”.

    “Është mënyrë për përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve, krijimin e besimit ndërmjet serbëve etnikë dhe qeverisë qendrore, sigurimin e lidhjeve më të mira ndërmjet veriut dhe pjesës tjetër të vendit, dhe krijimin e mekanizmave për serbët për pjesëmarrje më të madhe në jetën shoqërore të Kosovës”, thuhet në tekstin e tyre autorial.

    Ndaj kësaj këkrese të SHBA-ve kanë ardhur reagimet nga deputetët e LVV-së.

    Deputeti Adnan Rrustemi ka thënë se Asociacioni nuk mund të jetë as në qendër e as parakusht i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Që nga fillimi, Kosova ka thënë se Plani Franko-Gjerman është bazë e mirë për diskutime të mëtejshme. Ndërkohë që Serbia, në mbledhjen e Këshillit të saj të Sigurisë, me 27 tetor zyrtarisht dhe njëzëri e kishte refuzuar atë propozim duke e cilësuar si të papranueshëm. Serbia as sot nuk e ka pranuar propozimin Franko-Gjerman. Rendi i gjërave ishte i qartë: normalizim i plotë i marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër, siç ka thënë Presidenti Biden, përmes planit Franko-Gjerman, të mbështetur nga ShBA. Asociacioni nuk mund të jetë as në qendër as parakusht i normalizimit të marrëdhënieve sepse synim e ka abnormalizimin e vendit tonë”, ka shkruar Rrustemi.

    Ndërkaq deputetja tjetër e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni ka thënë se themelimi i Asociacionit është “tendencë perverse mbi Kosovën”.

    “Para 10 vjetëve ‘Zajednicën’ në parim e nënshkroi Hashim Thaçi me Ivica Daçiqin. Para 8 vjetëve ‘Zajednicën’ me përmbajtje e nënshkroi Isa Mustafa me Aleksandar Vuçiqin. Tash, po duan që ‘Zajednicën’ ta zbatojnë me kundërshtarin më të madh të saj Albin Kurtin. Tendencë perverse mbi Kosovën”, ka shkruar Kyreziu-Hyseni.

    Kujtojmë se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

    Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

    Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

    Lajmi Paraprak

    Një peripeci e Dostojevskit

    Lajmi i rradhës

    Rregulla për prindërit e rinj – si t’ia dalësh pa pasur shumë ankth!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë