Avokati i Popullit ka hapur një rast me iniciativë të vetën lidhur me ndotjen e ujit në Gostivar, përcjell Nistori.
Siç njoftoi Zyra e Avokatit të Popullit, përmes këtij rasti do të përcaktohet se si ka ardhur deri te shkelja e së drejtës së qytetarëve për ujë të pijshëm dhe të pastër.
Për këtë qëllim, janë kërkuar informacione nga Instituti i Shëndetit Publik, Komuna e Gostivarit, Ndërmarrja Publike „Komunalec“ dhe Qendra e Shëndetit Publik.
„Dje nga këto institucione u morën informacione me shkrim. Megjithatë, ato nuk janë të plota, pasi nuk përmbajnë të gjitha të dhënat dhe rrethanat relevante lidhur me problemin e ndotjes së ujit. Për këto arsye, Avokati i Popullit do t’u drejtohet edhe institucioneve të tjera kompetente për të marrë informacione konkrete“, njoftoi Zyra e Avokatit të Popullit.
Rasti i ujit në Gostivar është vënë në fokus edhe të sektorit joqeveritar dhe organizatave kundër korrupsionit.
Transparency International, në raportin e saj të fundit, e rendit këtë rast ndër ngjarjet më të diskutueshme, duke e konsideruar atë një tregues serioz të dobësive të mundshme sistemore.
Kryetari i Komitetit Drejtues dhe ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, njoftoi dy ditë më parë, në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së Shtabit për Menaxhimin e Krizave, se uji në Gostivar ende nuk është i sigurt për pije dhe mund të përdoret vetëm si ujë teknik.
Ai theksoi se cilësia e ujit vazhdon të ndryshojë, prandaj rekomandimet e mëparshme mbeten në fuqi dhe uji nuk duhet të përdoret për pije apo gatim.
Prokuroria Themelore Publike në Gostivar njoftoi më 20 korrik se ka hapur hetim ndaj ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së Ndërmarrjes Publike „Komunalec“ – Gostivar, Artana Asani, si dhe ndaj menaxheres teknike të Sektorit për Çështje Teknike dhe udhëheqëses së Departamentit për Furnizim me Ujë, Kanalizime dhe Ndërtim në ndërmarrjen publike.
Prokuroria i dyshon ato për vepra të rënda penale kundër mjedisit dhe natyrës, të lidhura me ndotjen e ujit të pijshëm. Sipas Prokurorisë, përmes përdorimit të substancave të dëmshme në dhomën e tejmbushjes së sistemit që furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth, uji i pijshëm është bërë i papërdorshëm. /Nistori/






