Avokatja Lejla Kadriu sqaron rastet kur shteti mund t’ua marrë automjetin

    Ndryshime të reja në Kodin Penal: automjeti mund të konfiskohet për shkelje të rënda në komunikacion

    Ndryshimet e fundit në Kodin Penal, konkretisht në nenet 297-a dhe 300-b, parashikojnë masa ndëshkuese shumë më të ashpra për shkelësit e rregullave të komunikacionit, duke përfshirë edhe konfiskimin e plotë të automjetit, krahas dënimeve me burg dhe gjobave.

    Sipas këtyre ndryshimeve ligjore, shteti tashmë ka bazë të qartë ligjore për t’ua marrë mjetin drejtuesve që kryejnë vepra penale të rënda në trafik.

    Kur konfiskohet automjeti?

    Automjeti konfiskohet nëse drejtuesi kryen njërën nga veprat penale në vijim:

    • Drejtimi i mjetit në gjendje të dehur ose nën ndikimin e drogës, nëse konstatohet mbi 1.5 g/kg alkool në gjak ose prani e substancave psikotrope.
    • Tejkalim ekstrem i shpejtësisë:
      • Mbi 50 km/h mbi kufirin e lejuar në zonë të banuar.
      • Mbi 70 km/h mbi kufirin e lejuar jashtë zonës së banuar.
    • Drejtimi i mjetit në drejtim të kundërt, në autostradë ose në rrugë me shirita të ndarë fizikisht.
    • Tejkalimi i kolonës së automjeteve në vende me dukshmëri të kufizuar.
    • Organizimi ose pjesëmarrja në gara të paligjshme me mjete motorike.
    • Drejtimi i mjetit pa leje drejtimi, si në rastet kur drejtuesi nuk ka pasur kurrë patentë, ashtu edhe kur i është shqiptuar masë ndalimi për drejtim mjeti.

    Çfarë ndodh nëse makina nuk është e juaja?

    Ligji parashikon konfiskimin e automjetit edhe kur ai është në pronësi të një personi të tretë, nëse pronari ka ditur ose është dashur të dijë se mjeti do të përdorej nga një person pa leje drejtimi ose për veprime të kundërligjshme.

    Masa plotësuese të detyrueshme

    Përveç konfiskimit të automjetit, gjykata është e obliguar të shqiptojë edhe:

    • Ndalim të drejtimit të mjetit motorik, në kohëzgjatje nga 6 muaj deri në 10 vjet, varësisht nga rasti dhe rrethanat.

    Paralajmërim juridik

    Avokatja Lejla Kadriu thekson se këto ndryshime kanë pasoja serioze financiare dhe personale për qytetarët, duke nënvizuar se siguria në komunikacion duhet të jetë prioritet absolut.

    Ajo apelon që qytetarët:

    • të mos ua japin automjetin personave pa leje drejtimi,
    • të respektojnë në mënyrë rigoroze kufizimet e shpejtësisë dhe sinjalistikën rrugore,
    • të mos drejtojnë kurrë mjetin nën ndikimin e alkoolit apo substancave të tjera.

    Ligji nuk e njeh mosdijen si arsyetim. Ndryshimet tashmë janë në fuqi dhe zbatimi i tyre parashikon masa drastike për shkelësit. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Historia se si u krijua Facebook-u

    Lajmi i rradhës

    Dr. Zafirovski: edhe cigaret elektronike janë shumë të dëmshme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë