BALLKANI I DRUHET PASOJAVE! Recesioni në Gjermani nuk do të ndikojë negativisht në ekonominë e RMV

    Gjermania po paguan koston e inflacionit të lartë me rënien e konsumit të amvisërive. Me fjalë tjera në fillim të vitit, motori ekonomik evropian ka hyrë në recesion, ndërsa mediet po ngrenë shqetësimin për pasojat e lëvizjeve të tilla negative ekonomike që mund të zgjasin përgjatë vitit ndaj shteteve në Evropë dhe Ballkan. Me fjalë tjera, ekonomia gjermane ka hyrë në një ngadalësim ekonomik apo një rënie të ndjeshme e aktivitetit ekonomik me rënien për dy tre mujorë të prodhimit të brendshëm bruto me nga 0.3 dhe 0.5 për qind.

    Bundesbank gjermane, megjithatë, pret që ekonomia të rritet në mënyrë modeste në tremujorin e dytë pasi rikuperimi në industri më shumë se e kompenson konsumin e ngadalësuar të familjeve dhe një rënie në ndërtim, thuhet në raporti mujor të ekonomisë të publikuar javën e kaluar. Nëse gjykojmë nga përvojat historike, Gjermania do të rimëkëmbet shumë shpejt, gjë që tregohet edhe nga vlerësimet zyrtare se ekonomia e saj do të rritet përfundimisht në baza vjetore. Megjithatë, ka impulse pozitive, sepse investimet dhe eksportet e kompanive në krahasim me tre muajt e mëparshëm janë rritur përkatësisht me tre për qind dhe 0.4 për qind, ndërsa vlerësimet e qeverisë gjermane janë se rritja ekonomike në fund të vitit do të jetë së paku. 0.4 për qind.

    Ekonomistët vlerësojnë se Gjermania ka një strukturë të shëndetshme ekonomike dhe i kapërceu krizat e mëparshme kryesisht duke përfunduar në një recesion teknik për dy tremujorë radhazi, dhe më pas filloi të rritet. Përgjatë historisë, që nga viti 1949, Gjermania nuk ka qenë në recesion për një periudhë të gjatë, por kryesisht kjo ka zgjatur pak. Sipas njohësve të rrethanave ekonomike, Maqedonia nuk duhet të frikësohet edhe për shkak se bëhet fjalë për një recesion shumë të butë aktualisht si dhe për shkak të rritjes së këmbimit tregtar në tre muajt e parë të vitit, por megjithatë vlerësohet se lëvizjet duhet të ndiqen me kujdes.

    Antje Vandelt, drejtoresha e re e Odës Ekonomike Gjermane në Maqedoni, thotë se recesioni në Gjermani nuk do të ndikojë negativisht në tregtinë me Maqedoninë dhe ekonominë e Maqedonisë në përgjithësi. Ajo shpjegon zhvillimet atje me rënien e konsumit personal për shkak të inflacionit, apo me çmimet e larta të ngrohjes, të cilat u bënë shkak për shkurtimin e shpenzimeve të tjera. Në periudhën e ardhshme faturat e energjisë elektrike dhe gazit nuk do të jenë të larta dhe konsumi do të lëvizë sërish, shton ajo.

    Lidhur me ndikimet e recesionit teknik në Gjermani në tremujorin e fundit ndaj ekonomisë së vendit dhe të vendeve të rajonit në të cilat ka investime të shumta gjermane, ajo vlerëson se është e vështirë të parashikohet situata ekonomike. “Është komplekse të japësh një parashikim për situatën ekonomike, por ajo që mund të vërej dhe të konstatoj është se, si Odë Gjermane në Maqedoninë e Veriut, në javët e fundit kemi marrë një numër të madh pyetjesh nga kompanitë gjermane që janë gjithashtu të interesuara për tregun e Maqedonisë si treg në të cilin mund të investohet edhe për këmbim tregtar të mëtejshëm”, thekson Vandelt.

    Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, këmbimi tregtar midis dy vendeve kishte vlerën prej një miliardë e 239 milionë euro, që paraqet rritje të tregtisë në raport me një miliardë e 107 milionë euro sa ishte vlera e këmbimit tregtar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Eksporti ndaj Gjermanisë vetëm në këtë periudhë është rritur nga 860 në 973 milionë euro, ndërsa rritje po shënon edhe importi nga 247 në 265 milionë euro.

    Tregtia mes dy vendeve është në rritje të vazhdueshme dhe ka arritur një rekord prej gati 4.8 miliardë eurosh në vitin 2022. Rritje ka si në eksport ashtu edhe në import. Të dhënat tregojnë se nga aktiviteti i përgjithshëm eksportues i Maqedonisë, 45 për qind janë drejtuar në Gjermani, ndërsa importet tejkalojnë 1.2 miliard euro. Me fjalë tjera, është rritur eksporti nga 3.2 miliardë euro në vitin 2021 në mbi 3.7 miliardë euro në vitin 2022. Përveç kësaj, në vend ka rreth dyqind kompani gjermane me mbi 20 mijë të punësuar. Janë paralajmëruar edhe dy investime të reja për prodhimin e baterive për biçikleta, motoçikleta dhe produkte të tjera më të vogla për industrinë dhe për prodhimin e tekstileve. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Ilaçet shtrenjtë e më shtrenjtë, humanistët ua kanë shlyer borxhet skamnorëve dibranë nëpër barnatore

    Lajmi i rradhës

    Anketa e IKP: 42% e qytetarëve e kanë humbur besimin se Maqedonia e Veriut do të bëhet pjesë e BE-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë