Forumi Ministror BE-Ballkani Perëndimor, i cili po mbahet në Budva, konfirmoi angazhimin e fortë rajonal dhe bashkëpunimin e ngushtë në fushën e drejtësisë dhe punëve të brendshme, thuhet në një deklaratë të përbashkët të publikuar në faqen e internetit të Këshillit të BE-së pas ditës së parë të forumit. Në takim u diskutuan çështje të punëve të brendshme, si lufta kundër krimit të organizuar transnacional dhe tregtisë ilegale, si dhe forcimi i menaxhimit të migracionit, azilit dhe menaxhimit të kufijve dhe Plani i Veprimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Pjesëmarrësit, shtohet në deklaratën e përbashkët të Forumit Ministror BE-Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme, ranë dakord të vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin në luftën kundër rrjeteve të krimit të organizuar rajonal dhe transnacional, të cilët janë të përfshirë në tregtinë e paligjshme, duke përfshirë kontrabandën e emigrantëve trafikun e njerëzve, drogës dhe armëve të zjarrit. “Përpjekjet e përbashkëta do të vazhdojnë, veçanërisht përmes Europolit dhe në kuadër të Platformës Multidisiplinare Evropiane për Luftimin e Kërcënimeve Kriminale (EMPACT)”, thuhet në deklaratë.
Në të njëjtën kohë, theksohet se zgjidhja e fenomenit të drogës kërkon një qasje të integruar, multidisiplinare dhe të balancuar të bazuar në prova, e cila synon të reduktojë ofertën dhe kërkesën për drogë, si dhe dëmet që lidhen me drogën.
“Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor mirëpritën punën dhe mbështetjen e agjencive dhe organeve përkatëse të BE-së dhe mundësitë e reja për bashkëpunim të mëtejshëm në rajon dhe më gjerë. Bashkimi Evropian mirëpriti fazën e dytë të Hartës për kontrollin gjithëpërfshirës të armëve të vogla dhe të lehta në rajon deri në vitin 2030, e cila u mbështet nga të gjithë partnerët nga Ballkani Perëndimor”, thuhet në deklaratë.
Lidhur me forcimin e migracionit, azilit dhe menaxhimit të kufijve, thuhet se BE-ja dhe partnerët nga Ballkani Perëndimor njohën progresin e arritur në zbatimin e Planit të Veprimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, të prezantuar nga Komisioni Evropian në dhjetor 2022. Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor, përsëritën angazhimin e tyre të përbashkët për zgjidhjen e problemit të migracionit të paligjshëm, me qëllim forcimin e mbrojtjes së kufijve dhe luftës kundër kontrabandës së emigrantëve, në përputhje me Aleancën Globale për Luftimin e Kontrabandës së Emigrantëve.
Diskutimet, u fokusuan në përpjekjet e vazhdueshme për të krijuar sisteme të qëndrueshme të azilit dhe pritjes së emigrantëve dhe për të siguruar kthimin efektiv të migrantëve pa të drejtë qëndrimi në vendet e tyre të origjinës. Bashkimi Evropian rikujtoi gjithashtu mbështetjen e tij të shtuar politike dhe financiare për rajonin në fushën e migracionit dhe u bëri thirrje partnerëve të Ballkanit Perëndimor që të bëjnë përparim të mëtejshëm në përafrimin e politikës së tyre të vizave me listën e vendeve të BE-së për viza të nevojshme, duke pasur parasysh efektin e treguar të harmonizimi i vizave me politikën e BE-së për të reduktuar kalimet e parregullta kufitare përgjatë rrugës. Gjithashtu, partnerët e Ballkanit Perëndimor u informuan për Sistemin Hyrës-Dalje (EES) dhe Sistemin Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), si dhe përparimin e bërë drejt miratimit të Planit të ri të Veprimit të Përbashkët për luftën kundër terrorizmit për Ballkanin Perëndimor në vitin 2025, thuhet në kumtesë. /Koha/