BDI i bën thirrje qeverisë që të ndalojë menjëherë përdorimin e propagandës antikorrupsion për përfitime partiake dhe për të krijuar një perde tymi për të mbuluar dështimet e saj në integrimin europian dhe përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike, shkruan Nistori.
“Në vend që të vazhdojë me këtë qasje manipulimi dhe drejtësie selektive, kërkojmë që qeveria të fillojë pa vonesë një proces të paanshëm dhe gjithëpërfshirës të vetingut për të hetuar burimin e pasurisë së politikanëve gjatë 30 viteve të fundit dhe mënyrën se si janë kryer proceset e privatizimit. Kjo është mënyra e vetme për të rikthyer besimin e qytetarëve dhe për të ndërtuar një shtet të qëndrueshëm ligjor. Në të kundërt, kjo qasje do të vazhdojë të krijojë polarizim politik dhe ndarje etnike që do të minojnë themelet e shoqërisë sonë”, deklarojnë nga BDI.
Sipas tyre, historia ka treguar se çdo përpjekje për të përdorur antikorrupsionin si një vegël për revanshizëm politik dhe mbulim të skandaleve do të kthehet në një bumerang që do të godasë vetë ata që e nxisin.
“Qeveria nuk mund të pretendojë ndërtimin e së drejtës duke përdorur taktika të padrejta dhe manipulime që vetëm sa thellojnë ndasitë në shoqëri. Shfrytëzimi i emocioneve të qytetarëve për të mbuluar dështimet strategjike të Qeverisë në dy shtyllat kyçe – Eurointegrime dhe marrëdhënie ndëretnike është strategji e rrezikshme”, shtojnë më tej nga BDI.
Nga ana tjetër, ka reaguan VLEN për vetingun që kërkon BDI. Sipas VLEN, kur BDI flet për vetting, është njëjtë sikur t’ia kthejë shpinën aleatit të përhershëm të shqiptarëve, ShBA-së. Kjo parti tenton të tallet si me shqiptarët, ashtu edhe me mikun e përhershëm të tyre.
“Nuk ka kaluar as një javë kur SHBA-të futën në listë të zezë hijen e Ali Ahmetit, Artan Grubin. Meqë kanë dëshirë të flaktë për vetting, tashmë vetting BDI-së i bëri Artan Grubi. Shqiptarët e dijnë mirë se në prapavijë të retorikës së zjarrtë “patriotike” fshihen interesat e pastra financiare të klanit të oligarkëve politikë të cilëve po u troket në derë përgjegjësia për korrupsion! E këtë ua bëri me dije edhe aleati jonë i përhershëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqiptarët dhe ShBA-të mos i konsideroni naivë. Për shqiptarët dhe shtetin po vijnë ditë të bardha, ndërsa për keqpërdoruesit dhe zhvatësit do të vijnë ditë të zeza ku të gjithë do të dalin para drejtësisë”, thonë nga VLEN.
Pyetja që shtrojnë nga VLEN është se, edhe sa mesazhe të tjera duhet të japë ShBA-ja që BDI të kuptojë se ka nevojë urgjente për reforma të thella programore dhe kadrovike. /Nistori/