BDI — VLEN / Një sërë akuzash përpara betejës për pushtetin e ardhshëm lokal

    BDI: ne e marrim fuqinë nga populli, ndërsa VLEN nuk mund të fitojë pa ndihmën e të tjerëve

    Nga Bashkimi Demokratik për Integrim kanë reaguar pas deklaratës së fundit të kreut të LD-së, Izet Mexhiti, i cili tha se në zgjedhjet lokale koalicioni VLEN do të bashkëpunojë me VMRO-DPMNE.

    Nga BDI thonë se dallimi mes tyre dhe VLEN është se ata e marrim fuqinë nga populli, kurse sipas tyre, VLEN e marrin nga të tjerët.

    “Deklaratat e fundit mbi të ashtuquajturën “mbështetje të ndërsjellë” me VMRO-DPMNE-në, për zgjedhjet lokale nuk janë asgjë tjetër veçse një përpjekje e dëshpëruar për të krijuar një iluzion force aty ku nuk ka as mbështetje, as legjitimitet. Realiteti është i qartë: ata nuk mund të fitojnë asnjë garë pa ndihmën e të tjerëve, sepse shqiptarët tashmë i kanë refuzuar. Në zgjedhjet e fundit, shqiptarët dhanë një mesazh të qartë: ata nuk i shohin si përfaqësues të tyre. Koalicioni i tyre u refuzua nga votuesit dhe sot, me një parti që nuk kalon as 1% mbështetje, nuk po përpiqen të rikthejnë besimin e shqiptarëve, por po kërkojnë shpëtim diku tjetër. Prandaj, kanë zgjedhur t’i dorëzohen një partie maqedonase, duke shpresuar se votat e saj do t’i mbajnë politikisht në lojë. Por shqiptarët e dinë mirë: një parti që nuk ka mbështetje mes shqiptarëve nuk mund të fitojë për shqiptarët, e aq më pak të udhëheqë komunat shqiptare. Përtej fjalëve dhe justifikimeve, e vërteta është e thjeshtë: kush nuk ka mbështetjen e popullit të vet, nuk mund të marrë përsipër të përfaqësojë askënd. Ky është dallimi i madh: ne e marrim fuqinë nga populli, ndërsa ata po përpiqen ta marrin nga të tjerët. Fitorja nuk blihet, as nuk huazohet. Fitorja fitohet. Dhe ne do ta fitojmë sërish!”, thonë nga BDI.

    VLEN: epshi i BDI-së për të qenë në pushtet me çdo kusht, do të rezultojë në një referendum kundër tyre në zgjedhjet lokale

    Nga koalicioni VLEN kanë reaguar pas akuzave të sotme të BDI-së në lidhje me deklaratat e fundit të Izet Mexhitit nga VLEN në lidhje me bashkëpunimin e mundshëm mes VMEO-së dhe VLEN-it në zgjedhjet e ardhshme lokale,. Nga VLEN thonë se BDI i lutej Hristijan Mickoskit, që t’i merrte në vend të VLEN-it në qeveri.

    “Meqë kjo udhëheqësi arrogante, e korruptuar dhe e kapur e BDI-së vazhdon ta injorojë vullnetin e shumicës së shqiptarëve, shumë shpejt do të marrë ndëshkim të ashpër. Epshi i tyre për të qenë në pushtet me çdo kusht do të rezultojë në një referendum kundër tyre në zgjedhjet lokale. Shqiptarët nuk harrojnë dhe nuk e falin hipokrizinë e tyre! Sa i përket sulmit të BDI-së se Izet Mexhiti ka vetëm 1% mbështetje mes shqiptarëve, atëherë le të përgjigjen: si është e mundur që Blerim Bexheti, si bartës liste i Frontit Evropian në NJZ1, megjithëqë mbështetjen e të gjitha komuniteteve tjera (turq, boshnjakë, romë), humbi nga Izet Mexhiti, bartës i listës së VLEN-it, në zgjedhjet parlamentare? Le të përgjigjet Bujar Osmani se si, bashkë me Artan Grubin dhe tërë klikën e tyre të korruptuar, humbën në Çair me rezultat 13,570 kundër 11,032 nga njeriu që, sipas tyre, ka vetëm 1% mbështetje? Jeni qesharakë dhe të lexuar. Gënjeshtrat tuaja nuk pinë më ujë!”, thonë nga VLEN.

    Lajmi Paraprak

    17 shenja paralajmëruese të kancerit që shumica i injorojmë

    Lajmi i rradhës

    Si po shkatërrohet shëndeti i fëmijëve nga ndryshimet klimatike?!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë