BE-ja – gati t’i vendosë tarifa ShBA-së, nëse s’ka marrëveshje

    Bashkimi Evropian ka përgatitur një listë tarifash – në vlerë prej 21 miliardë eurosh – për mallrat amerikane, nëse dy palët nuk arrijnë marrëveshje tregtare, tha ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani.

    Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi të shtunën se do të vendosë tarifa prej 30% për importet nga Meksika dhe Bashkimi Evropian, nisur nga 1 gushti, pasi negociatat disajavore me partnerët kryesorë tregtarë të ShBA-së dështuan të sjellin marrëveshje.

    Duke folur për gazetën Il Messaggero, Tajani tha gjithashtu se, për të ndihmuar ekonominë e Eurozonës, Banka Qendrore Evropiane duhet të shqyrtojë një program të ri për blerjen e bonove dhe ulje të reja të normave të interesit.

    Bashkimi Evropian tha të dielën se do të shtyjë marrjen e masave hakmarrëse kundër ShBA-së deri në fillim të gushtit, me shpresën se do të arrihet një marrëveshje përmes negociatave.

    Tajani tha se paketa prej 21 miliardë eurosh tarifa, që BE-ja ka përgatitur, mund të pasohet me një rund të dytë masash, nëse nuk ka marrëveshje me ShBA-në.

    Megjithatë, ai tha se beson se mund të ketë përparim në negociata.

    “Tarifat i dëmtojnë të gjithë, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara”, tha Tajani.

    “Nëse tregjet e aksioneve bien, një gjë e tillë do t’i vinte në rrezik pensionet dhe kursimet e amerikanëve”, shtoi ai.

    Sipas tij, qëllimi duhet të jetë “zero tarifa” dhe një treg i hapur mes Kanadasë, Shteteve të Bashkuara, Meksikës dhe Evropës.

    Kancelari gjerman, Friedrich Merz, tha të dielën se do të punojë në mënyrë intensive me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për të zgjidhur konfliktin tregtar me Shtetet e Bashkuara.

    Te konflikti i tillë vjen kur dy ose më shumë vende vendosin tarifa ose barriera të tjera tregtare ndaj mallrave dhe shërbimeve që importohen nga njëri-tjetri, për të mbrojtur prodhimet vendore ose për të fituar avantazh ekonomik. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Radev: RMV po e pengon vetë rrugën drejt BE-së

    Lajmi i rradhës

    Gjendja më kritike me zjarret është në Dojran

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë