Bechtel & Enka ka dalë me qëndrim pas akuzave të gjata se është duke e dëmtuar mjedisin jetësor në fshatin Oreovec, ku po gërmon për rërë për ndërtimin e Korridorit 8 dhe Korridorit 10D.
Nëpërmjet një kumtese dërguar në media, nga kompania turke – amerikane bëjnë të ditur se kanë realizuar takim me banorët e këtij fshati, në të cilin takim, nga të gjithë pjesëmarrësit është potencuar rëndësia strategjike për ndërtimin e autostradave të dy korridoreve.
Nga kompania kanë siguruar se është realizuar analizë e nevojshme dhe se mbeten të përkushtuar në sigurinë e banorëve dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor.
“Të gjithë pjesëmarrësit e pranuan rëndësinë strategjike për ndërtimin e autostradave të Korridorit 8 dhe 10D për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe popullsinë e saj. Bechtel & Enka edhe njëherë konfirmoi se si kompani me përgjegjësi shoqërore, paraprakisht ka kryer gjithë analizën e thellë të nevojshme. Udhëheqësia Bechtel & Enka, gjithashtu, kujtoi se para se të nisin punimet, janë përmbushur të gjitha kërkesat ligjore dhe rregulloret dhe se mbetemi të përkushtuar në praktikimin e sigurisë të të gjithëve, por edhe në mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe shoqërisë përskaj trasesë”, thuhet mes tjerash në kumtesë”, thonë nga kompania.
Më tej, nga kompania turke – amerikane, Bechtel & Enka bëhet e ditur “se me banorët janë harmonizuar qëndrimet dhe se janë siguruar që janë ndërmarrë të gjitha masat për mbrojtje të mjedisit”.