Biznesi dhe tregtarët mbushin xhepat, mërgimtarët rinjgjallin Dibrën

    Prezenca e madhe e mërgimtarëve në Dibër dhe rajon, sipas odave ekonomike që veprojnë këtu, paraqet një ringjallje të biznesit lokal dhe rajonal, i cili ka probleme të shumta për shkak të faktit se popullata në qytet dhe fshatra është përgjysmuar nga migrimet masive.

    Këto ditë, në Dibër dhe komunat rurale Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë ka mbi 8.000 mërgimtarë që i kalojnë pushimet verore në vendlindje. Një situatë e tillë është e mirëseardhur për kompanitë tregtare dhe ato shërbyese, pasi ato kanë një dyfishim, madje ndonjëherë edhe trefishim të xhiros.

    Në Dibër ka shumë mërgimtarë nga Amerika dhe shtetet e Evropës, veçmas nga Italia, Gjermania, Austria, Zvicra, Belgjika, Holanda, Suedia etj. Por, çdo ditë vijnë edhe mërgimtarë nga Shqipëria, të cilët jetojnë në shtetet e Evropës dhe kalojnë pushimet në vendlindjen e tyre – Shqipëri. Ata që jetojnë në vendbanimet kufitare janë të rregullt dhe prezentë në Dibër pothuajse çdo ditë.

    Në vendkalimin kufitar “Bllatë”, në afërsi të Dibrës, ka një rritje prej 55 për qind të kalimtarëve për 6 muajt e parë të vitit. Nga janari deri në qershor kanë kaluar mbi 574 mijë udhëtarë në të dy anët e kufirit. Në bisedë me kompanitë tregtare që veprojnë në Dibër, të cilat janë të shumta, u informuam se ka një rritje të qarkullimit ditor. “Mërgimtarët dukshëm kanë rritur qarkullimin. Jemi tejet të kënaqur dhe gjatë kësaj vere presim të ardhura që do të plotësojnë planet vjetore. Mërgimtarët, faktikisht, janë një oksigjen i fuqishëm për tregtinë dibrane”, thotë T. C., një tregtar i njohur dibran.

    Në sektorin tregtar janë të kënaqur edhe pronarët e kompanive që merren me tregtinë e ushqimeve, teknikës dhe mobilerisë. Shumë të kënaqur janë edhe pronarët e kafiterive, restoranteve dhe hoteleve. U. LL., pronar i një restoranti, thotë se për çdo ditë ka rritje të xhiros dhe përfitime të mira. “Ka ankesa për çmimet dhe lartësinë e artikujve, por duhet të kenë parasysh se çmimet e larta janë prezentë edhe në rrjetin tregtar”, shton ai.

    Edhe pse sallonet e dasmave në Dibër janë afër dhjetë, ato punojnë vetëm dy muaj brenda vitit. Megjithatë, numri i dasmave dhe gëzimeve familjare, sipas pronarëve, është i kënaqshëm. “Dasmat janë të përditshme dhe interesi për organizimin e tyre është i madh. Ardhja e mërgimtarëve paraqet një motiv plus që të mbahen gëzimet familjare së bashku me ta”, thotë Amir T., pronar i një salle dasmash në Dibër.

    Gazeta Koha bisedoi edhe me pronarët e këmbimoreve në Dibër. Ata thonë se ka një rritje të pranisë së devizave, veçmas të eurove dhe dollarëve amerikanë. Këmbimi i valutave është stabil dhe mund të vlerësohet se mërgimtarët, edhe këtë verë, kanë sjellë sasi të konsiderueshme të devizave në vendlindje. Dibra, këto ditë, së bashku me fshatrat dhe komunat rurale, ka një dinamikë të madhe dhe pritet që prezenca e mërgimtarëve të jetë e mirëseardhur për të gjithë, si për familjet, ashtu edhe për biznesin lokal dibran.

    Lajmi Paraprak

    RMV nuk ka kornizë ligjore për Inteligjencën Artificiale

    Lajmi i rradhës

    Prodhimet industriale në RMV çdo ditë e më shtrenjtë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë