BORXHI PREJ 500 MILIONË EURO | Zhvillim ekonomik, apo barrë financiare shtesë?

    Pesëqind milionë euro me kamatë prej 3.25 për qind është kredia që do të marrë Maqedonia nga Hungaria. Shlyerja është caktuar në 12 vjet, dhe ka edhe një periudhë grejs apo të mospagimit trevjeçar. Ky është bashkëpunimi i posaçëm ekonomik për të çilin kanë rënë dakord kryeministrat e dy vendeve, Hristijan Mickoski dhe Viktor Orbán. Paratë, sipas sqarimit të kryeministrit Mickoskit, do të ndahen – 250 milionë euro mbështetje direkte për ekonominë maqedonase me të njëjtat kushte si kredia, ndërsa gjysma tjetër do të shkojnë për projekte kapitale që do të realizohen nëpër komuna, ekskluzivisht të dedikuara për nevojat e qytetarëve.

    “Sot, së bashku me Kryeministrin e Qeverisë hungareze, zotin Viktor Orbán, patëm një takim jashtëzakonisht cilësor dhe të frytshëm. Biseduam për disa tema, duke përfshirë edhe temën që është ndoshta më e rëndësishmja për qytetarët e Maqedonisë, që është se të dy qeveritë kanë rënë dakord që në të ardhmen të vendosin një bashkëpunim të veçantë ekonomik, diçka që do të thotë siguri dhe diçka që do të thotë stabilitet financiar për ekonominë tonë maqedonase”, tha Mickoski nga Uashingtoni.

    Më tej ai shton: “Në emër të atij bashkëpunimi, ne ramë dakord që tani personat përgjegjës, ministritë e financave të dy qeverive, të nisin një proces në të cilin qeveria hungareze do t’i japë qeverisë maqedonase një shumë prej 500 milionë eurosh në kushtet e mëposhtme. Pra një normë interesi 3.25 për qind, një periudhë grejs trevjeçare dhe një periudhë shlyerjeje 12 vjeçare, që është gjithsej 15 vjet”, shtoi Mickoski.Nga ana tjetër ekonomistët kërkojnë që vendi të harxhojë me kujdes borxhin e ri nga Hungaria me qëllim të dedikimit të tij për investime që do rrisin ekonominë vendase dhe do të sjellin edhe mjete për kthimin e tij.

    Eksperti ekonomik Branimir Jovanoviq thotë se nuk është keq që kredia është ulur nga një miliardë euro sa ishte parashikuar në 500 milion euro mirëpo shton se për kompanitë ka burime të tjera më të lira parash, ndërsa sa i përket financimit të komunave, mendon se është një masë populiste, e cila kryhet një vit para zgjedhjeve lokale.

    “Paratë merren vetëm aq sa merren, shohim që do të përdoren për të mbështetur kompanitë, gjysma do të shkojë për projekte komunale. Para së gjithash, Banka jonë për zhvillim ka fonde të mjaftueshme nga banka zhvillimore dhe një pjesë e madhe e këtyre parave janë me kushte më të favorshme dhe nuk shoh nevojë të marr një kredi të re me kamatë mbi 3 për qind dhe t’ua japë kompanive kur tashmë ka fonde që nuk përdoren dhe kompanitë nuk kanë nevojë për aq shumë kredi dhe nuk duan të marrin shumë hua. Njëherësh fillimisht niset nga nevojat, shikohet se çfarë kanë nevojë komunat, pastaj gjen paratë .Pra pjesa për komunat është vendosur gabim. Unë si komunë dua të ndërtoj një rrugë, kanalizim, etj dhe pastaj i japim të hollat , por tani kemi 250 milionë euro dhe nuk kam dëgjuar ndonjë projekt nga komunat që do të financohet me këto para”, thotë analisti ekonomik Branimir Jovanoviq. Sipas tij klauzolat në të mund ta bëjnë shumë problematike kredinë.

    Disa vite më parë, Mali i Zi kishte probleme me një kredi kineze për autostradë – nuk mund ta shlyente kredinë dhe në kontratë kishte një klauzolë që nëse nuk e shlyente, Kina kishte të drejtë të merrte disa nga objektet e tyre shtetërore.

    Në fund, çështja u zgjidh, morën një kredi të re nga BE-ja, por nëse ka një klauzolë të tillë në këtë marrëveshje me Hungarinë, padyshim që mund të çojë në pengmarrje. Por edhe nëse nuk ka një klauzolë të tillë, kredia është sërish problematike, si nga pikëpamja ekonomike, ashtu edhe nga ajo politike. Nga pikëpamja ekonomike, duket se ne tani marrim kredi vetëm aq sa mundemi dhe jo sepse kemi vërtet nevojë, thekson Jovanoviq.

    Eksperti tjetër ekonomi, Sinisha Naumovski konsideron se nuk duhet të na shqetësojë fakti që kredia vjen nga Hungaria, sepse është një vend që, siç thotë ajo, ka një pjesëmarrje me ndikim në BE.Sipas tij, e vetmja pikë që duhet të respektohet është mënyra e shpenzimit të parave nga kredia.

    Sipas tij efektet nga këto të holla do të shikohen në gjashtëmujorin e dytë të vitit të ardhshëm, duke marrë parasysh se sivjet akoma do të luftojmë me inflacionin prej 3.5 për qind.

    Edhe për profesorin e ekonomisë Zoran Ivanovski nuk ka dyshim se investimet janë bazë për çdo rritje ekonomike, dhe financat e fituara përmes një rruge alternative si kjo, sipas tij apo një marrëveshje mes dy qeverive ka disa përparësi jo vetëm në aspektin e kushteve të kthimit, por edhe në mënyrën e përdorimit.

    Për më tepër, sipas tij, duke marrë parasysh qëndrueshmërinë e borxhit publik apo atë fiskale të borxhit të shtetit, përparësi në harxhimin e huamarrjes së re duhet të ketë shfrytëzimi produktiv i tij në projekte që sjellin vlerë më madhe të shtuar dhe sigurojnë mjete për kthimin e borxhit.

    Ndryshe, pritet që me rishikimin e buxhetit të shtetit që do të kalojë kësaj jave në qeveri të sigurohen 100 milionë euro për komunat për projekte infrastrukturore për të cilat komunave ju është bërë thirrje të përgatisin dokumentacionin, ndërsa vitin tjetër ato do të fitojnë 250 milionë euro të tjera për këtë qëllim. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Qamili: statistikat e fundit tregojnë se në RMV, gratë janë më të shkolluara se meshkujt

    Lajmi i rradhës

    BE ndan 13 milionë euro për ushtrinë e Shqipërisë dhe forcimin e sigurisë në rajon

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë