Prodhuesi gjerman i armëve, Rheinmetall, po zgjeron me shpejtësi aktivitetin prodhues mes luftës që po zhvillohet në Ukrainë, dhe planifikon të hapë fabrikë edhe brenda Ukrainës. (Përgatiti: Syzanë Paçarizi)
Që nga prilli 2022, kur Gjermania ra dakord të furnizonte Ukrainën me armë të rënda për të luftuar pushtimin rus, prodhimi i predhave të tankeve nga Rheinmetall është rritur nga 60.000 në 240.000 në vit.
Kompania gjermane e armëve ka shtuar rreth 2000 vende pune që nga pushtimi rus dhe është shtuar në indeksin e aksioneve DAX të Frankfurtit.
Në maj u njoftua se Rheinmetall do të lidhej me kompaninë shtetërore të armëve të Ukrainës Ukroboronprom me qëllim “për të prodhuar së bashku produkte të zgjedhura Rheinmetall në Ukrainë”.
Njoftimi i një fabrike të mundshme gjermane të armëve brenda Ukrainës tërhoqi një përgjigje të furishme nga Kremlini. Dmitry Medvedev, ish-president rus, u zotua se Rusia do të godiste objektin e planifikuar me “fishekzjarre nga Kalibre [raketë lundrimi] dhe pajisje të tjera piroteknike ruse”.
Rheinmetall ishte i dobishëm në pajisjen e makinës së luftës naziste që shkatërroi pjesën më të madhe të Evropës në Luftën e Dytë Botërore.
Në disa pjesë të uzinës Rheinmetall, sipas AFP-së, automjetet e vjetra të blinduara me njolla ndryshku aktualisht po çmontohen dhe riparohen për t’u vendosur në fushëbetejë.
Bashkimi Evropian ka premtuar 2 miliardë euro (2.1 miliardë dollarë) për furnizimin me artileri për Ukrainën, me synimin për të marrë 1 milion predha artilerie në vend gjatë vitit të ardhshëm. /REL/