Bullgaria i ka dorëzuar një notë proteste Maqedonisë së Veriut pas dëmtimit të flamurit të ambasadës së tyre. Ministria e Jashtme e Bullgarisë pretendon se ngjarja ka ndodhur gjatë fundjavës.
Ministria e cilësoi incidentin si “një tjetër përdhosje ndaj simboleve kombëtare bullgare në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.
Zyrtarët bullgarë gjithashtu janë shprehur të shqetësuar se incidente të tilla po vijnë duke u shtuar.
Sofja, deklaroi se ka marrë në pyetje kreun në detyrë të Ambasadës së Maqedonisë së Veriut dhe se i dorëzuan atij një notë proteste.
“Kemi shprehur indinjatën tonë të thellë ndaj këtij incidenti”- shkruan më tej Ministria e Jashtme, në një deklaratë.
“Çdo veprim që shpreh urrejtje kundër një vendi, apo qytetarëve të tij, bie ndesh me vlerat themelore të shoqërive demokratike moderne dhe cenon promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”.
Nga ana tjetër, edhe Ministria e Jashtme e Maqedonisë ka dënuar incidentin dhe është zotuar se do të hetojë ngjarjen për të zbuluar personin përgjegjës.
“Ky akt vandalizmi dhe papërgjegjshmërie nuk duhet të njëhësohet në asnjë mënyrë me popullsinë e këtij qyteti tradicionalisht konsullor dhe kozmopolit”, thuhej në deklaratën e tyre.
“Këto sjellje të izoluara dhe të pakontrolluara nuk kontribuojnë aspak me përpjekjet për të thelluar miqësinë, fqinjësinë e mirë dhe bashkëpunimin midis dy vendeve”, shkruhej më tej.
Maqedonia e Veriut, gjithashtu deklaroi se ky incident dëmton përpjekjet e vendit për t’u integruar në Bashkimin Evropian.