BULLIZMI NË SHKOLLA | Petrushevska: Ministër, ju lexuat një përrallë, a e dini se sa armë ka në shkollat fillore?!

    Kritika dhe propozime të shumta iu drejtuan dikasterit të Arsimit në debatin me temë “Stop bulizmit”. Aktorja, Vesna Petrushevska tha se masat tashmë të propozuara nga ministri Jeton Shaqiri tingëllojnë si një përrallë që prej kohësh duhej të ishte realitet. Petrushevska tha se pas një ankete të realizuar me fëmijët e moshës 8-14 vjet rezulton se thuajse në çdo shkollë fëmijët bartin me vete armë të ftohta.

    “Ministër, ju lexuat një përrallë. Po ju pyes, a e dini se sa armë ka në shkollat fillore. Në shkollën time të aktrimit dje kam bërë një anketë me fëmijët e moshës 8 deri në 14 vjet. Të gjithë fëmijët, 80, më thanë se në klasat e tyre mbahet thikë. Si mendoni këtë ta rregulloni. Shumë mirë që dëshironi të bëni sistem, të formoni ekipe e komisione dhe do ta luftoni dhunën e moshatarëve por kjo dhunë nuk është prej dje, është që prej kur ekziston njeriu”, deklaroi Vesna Petrushevska, aktore.

    Mes tjerash, ministri i Arsimit Jeton Shaqiri tha se për të pasur një shoqëri të shëndosh të gjitha palët duhet të kryejnë detyrën e tyre si duhet. Shaqiri tha se rol të posaçëm kanë prindërit ose kujdestarët e fëmijëve.

    “Nga momenti që fëmija del nga shtëpia, shkon në shkollë dhe kthehet është përgjegjësi e prindit ta kontrolloj se çfarë ka brenda çantës, jo se nuk kanë përgjegjësi institucionet, gjithashtu përgjegjësi kanë edhe prindërit. Nuk mundet që ministria të jetë ne vendin e psikologut, nuk mund të zëvendësoj prindin i cili nuk dëshiron fëmijën e tij ta dërgoj në psikolog sepse është temë tabu, e madje se do ta kuptoj opinioni ose i gjithë qyteti”, tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.

    Ndërkohë, profesoresha Ana Frishand nga Instituti i Psikologjisë tha se ndalimi e Tik-tok-ut mund të sjell efekte pozitive në afat të shkurtër por nuk mund të jetë zgjidhje e tërësishme e problemit. Siç tha ajo, jo vetëm Tik-toku por të gjitha rrjetet sociale shkaktojnë dëm serioz varësisht se për çfarë qëllimi përdoren.

    “Nëse ndalohet, në afat të shkurtër mund edhe të jep rezultate të mira, mirëpo paralelisht duhet të punohet në atë që ta kuptojnë dhe të sqarohet se pse ndalohet. Kjo kërkon kohë, investim, energji, durim. Patjetër të bisedohet, patjetër të sqarohet dhe tu bëhet e qartë se pse nuk është në rregull të imitojnë modele që janë të dhunës. Gjithashtu, duhet të merren parasysh karakteristikat zhvillimore të moshës për të cilën flasim”, u shpreh Ana Frishand, Instituti i Psikologjisë.

    Ministria e Arsimit tashmë ka nisur fushatën “Së bashku t’i japim fund dhunës në shkollë” ku të gjitha shkollave u janë dërguar porosi për të ndërtuar mjedis shkollor paqësor pas asnjë formë dhune. MASH kujton qytetarët, nëse në shkolla vërehet ndonjë formë e sjelljes së dhunshme, të paraqiten në adresën elektronike [email protected] dhe [email protected]. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Mungesa e transportit publik problemi kryesor i qytetarëve

    Lajmi i rradhës

    Gjykimi i rastit të lehonës nga Dibra: Për shkak të mjekëve jam gjysmë njeri

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë