Burg për pronarin e “Besa Trans”, 800 mijë denarë gjobë për kompaninë – mbrojtja paralajmëron ankesë

    Në Gjykatën Penale në Shkup sot është shpallur aktgjykimi për rastin “Besa Trans”, i cili ka të bëjë me djegien e autobusit në autostradën “Struma” në Bullgari, ku si pasojë humbën jetën 45 persona dhe disa të tjerë mbetën të lënduar.

    Pronari i “Besa Trans” Bekim Haxhiu, u dënua me një vit e tetë muaj burg, ndërsa kompania “Besa Trans” si subjekt juridik është dënuar me gjobë prej 800 mijë denarëve (12.986 euro).

    Në fjalët përfundimtare, përfaqësuesi i akuzës, Vlladimir Milloshevski, tha se autobusi i cili është aksidentuar në Bullgari e ka kaluar kufirin me licencë të përgjithshme, në vend që me certifikatë të posaçme, ashtu siç parashihet me ligj.

    Djegia e autobusit “Besa Trans” ndodhi më 23 nëntor të vitit 2021 në orët e para të mëngjesit, kur autobusi i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek dhe më pas mori flakë. Në mesin e 45 viktimave ishin 12 fëmijë, ndërsa 7 persona mbijetuan.

    Aktgjykimi për “Besa Trans”, mbrojtja paralajmëron ankesë

    Mbrojtja do të ushtrojë të drejtën e ankesës ndaj aktgjykimit në rastin “Besa Trans”, në të cilin pronari Bekim Haxhiu u dënua me një vit e tetë muaj burg.

    Në një deklaratë për media pas aktgjykimit të sotëm në të cilin përveç pronarit, “Besa Trans” si subjekt juridik është dënuar me gjobë prej 800.000 mijë denarë dhe katër vite ndalim për transport ndërkombëtar, avokati i mbrojtjes Asmir Alispahiq konsideron se dënimi është shumë i lartë.

    “Nëse bëjmë një krahasim në seksionin e vendimeve të tjera të shqiptuara gjyqësore dhe vendimeve gjyqësore të këtij lloji, megjithëse parashikohet dënimi me burg nga një deri në pesë vjet, mendoj se në këtë situatë të veçantë dënimi është shumë i lartë”, tha Alispahiq.

    Lajmi Paraprak

    Integrimi i veriut: 26 biznese të regjistruara për gjashtë javë

    Lajmi i rradhës

    Dita e Mësuesit | 137 vjet nga mësonjëtorja e parë shqipe

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë