Bytyqi: njerëz që paraprakisht e kanë bojkotuar partinë, nuk mund të jenë në krye të LSDM

    Fatmir Bytyqi / Fotografia: Nistori

    Fushata zgjedhore për kryetar të LSDM-së nuk zhvillohet siç duhet pasi jo të gjithë kandidatë për kryetar të LSDM-së besojnë në vlerat dhe ideologjinë e LSDM-së. Harrojnë se kjo nuk është betejë personale. Këtë e tha ish nënkryetari i LSDM-së, Fatmir Bytyqi në intervistë për REL. Sipas tij një nga kandidatët aspak nuk beson në vlerat e socialdemokratëve. Nuk deshi të tregojë se për kë e ka fjalën, por tha se vetë ata do ta gjejnë veten në fjalët e tij.

    “Mendoj se ata vetë do të vlerësojnë. Jo shumë, një nga katër kandidatët. Njerëz që paraprakisht kanë bojkotuar ose aspak nuk i kanë përkrahur aktivitetet e partisë ndërsa çdo herë kanë pasur përfitime nga partia, nuk mund të pretendojnë të jenë në krye të partisë”, tha Fatmir Bytyqi – ish-nënkryetar i LSDM.

    Megjithatë, pse Bytyqi nuk dorëzoi kandidaturë për kryetar të LSDM-së? Thotë se ka menduar disa herë por në fund ka vendosur se ka shumë kandidatë dhe se partisë nuk i duhen grupime shtesë.

    “Nëse Fatmir Bytyqi me mendimin e tij të ndryshëm i duhet LSDM-së për shkak se beson në vlera, ai do të jetë pjesë e kryesisë së ardhshme, pjesë e organeve të ardhshme të partisë. Nëse kryetari i ri mendon se një profil i këtillë nuk i duhet, vlerat e mia socialdemokrate askush nuk mund të m’i marrë”, shtoi Bytyqi.

    Në Daily Click Petrovska paralajmëroi se nëse ajo bëhet kryetare, asnjë nga funksionarët e lartë të deritanishëm të partisë nuk do të jetë pjesë e kryesisë së re.

    “Të kërkoj këshilla, të gjithë do të jenë këtu, atëherë kur unë do të vlerësoj se duhet, megjithatë pjesë e kryesisë nuk do të jenë, do t’i falënderoj si shokë dhe shoqe për kontributin e tyre personal në gjithë këto vite”, deklaroi Sllavjanka Petrovska – kandidate për kryetar të LSDM-së.

    Jovan Despotovski, një nga kandidatët për kryetar e kritikon mënyrën se si Dimitar Kovaçevski erdhi në krye të LSDM-së. Ai tha se Zoran Zaev e ka marrë atë për dorë dhe e ka ulur në kolltukun e tij. Një gjë e tillë nuk guxon të ndodhë prapë, tha ai, edhe pse Zaev përsëri ka një të pëlqyer.

    “Kryetari i atëhershëm i LSDM-së, Zoran Zaev, në një deklaratë tha, liderin e ardhshëm të LSDM-së do ta shihni me mua në Klubin e deputetëve, në takim…
    -Despotovski: Pikërisht kjo do të thotë se në fakt e ka marrë për dorë dhe e ka ulur në kolltuk. A e dini se çfarë komentime dëgjoj tani. Kjo që ndodhi tani në Athinë, a nuk është klubi i ri i deputetëve nga 2021. Në Athinë ndodhi që një nga kandidatët të jetë bashkë me ish kryetarin e partisë dhe a nuk është ky mesazhi i njëjtë si mesazhi që u dërgua në 2021”, u shpreh Jovan Despotovski – kandidat për kryetar të LSDM-së.

    Atë që e dimë është se në garën për kryetarin e ri të LSDM-së janë katër kandidatë: Venko Filipçe, Sllavjanka Petrovska, Jovan Despotovski dhe Aleksandar Bajdevski. Kandidatët angazhohen në lidhjet komunale ku i prezantojnë programet për LSDM-në e re. Asambleja zgjedhore do të mbahet më 30 qershor kur do të dihet se kush do ta trashëgojë Dimitar Kovaçevskin. /TV21/

    Lajmi Paraprak

    Me përfundimin e vitit shkollor, fëmijët u rikthehen celularëve dhe teknologjisë

    Lajmi i rradhës

    Zgjidhet Qeveria e re, Hristijan Mickoski është kryeministër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë