ÇDO I DYTI DUHANPIRËS! | Maqedonia, lider për konsum të duhanit

    Janë të shumta analizat të cilat Maqedoninë e Veriut e nxjerrin lider në rajon për nga numri i konsumatorëve të duhanit. Analiza e publikuar së fundmi nga “Analitika think-thenk” tregoi se 48.4% e njerëzve në Maqedoninë e Veriut janë duhanpirës e që është normë shumë herë më e lartë se mesatarja e vendeve të BE-së e cila shkon deri në 29%. Raporti i duhan-pirjes mes meshkujve dhe femrave është 57.9% e meshkujve kundrejt 39% të femrave.

    Edhe përkundër thirrjeve që qytetarët të drejtohen në Qendrat e Shëndetit Publik për të kërkuar ndihmë profesionale për tu larguar nga ky zakon i dëmshëm numri i atyre që iu drejtohen këtyre institucioneve është shumë i vogël. Nga atje thonë se njerëzit kërkojnë mënyra për tu larguar nga duhani vetëm atëherë kur kanë probleme shëndetësore.

    “Në periudhën nga 1 janari deri më 31 mars 2023, numri i përgjithshëm i qytetarëve të këshilluar në Qendrat e Këshillimit për lënien e duhanit të vendosura në 10 Qendrat e Shëndetit Publik në vend ka shkuar deri në 17. Sipas përvojës botërore, duhet që të ketë kaluar të paktën 1 vit që nga fillimi i trajtimit në mënyrë që personi të mund të deklarohet si jo duhanpirës dhe të arrijë të konfirmoj që ka arritur të lërë duhanin. Arsyeja më e zakonshme për të lënë duhanin është shëndeti i dobët, ndërsa grup-mosha më e madhe e atyre që duan ta lënë duhanin është nga 50 deri në 60 vjeç”, deklaruan nga Instituti i Shëndetit Publik.

    Anketat e bëra me qytetarët tregojnë se ata kanë filluar me konsumimin e duhanit që në moshë të adoleshencës dhe kanë “eksperienca të gjata” si duhanpirës. Një qytetare e cila ishte pjesë e anketës është shprehur se ajo ka filluar pirjen e duhanit që nga mosha 15-16 vjeçare dhe që e konsumon tash e 25 vite.

    “Nuk jam përpjekur ta lë dhe nuk e kam në plan nëse nuk marr rekomandimin e mjekut”, shtoi ajo.

    Që është vështirë për tu larguar nga konsumi i duhanit e thonë vet duhanpirësit. Ata thonë që një duhanpirës i cili dëshiron të arrijë ta lërë duhanin duhet të ketë karakter të fortë pasi një numër i konsiderueshëm i atyre që pushuan së konsumuari iu rikthyen përsëri. Ka edhe nga ata qytetarë të cilët as që e mendojnë mundësinë për ta lënë duhanin por ka edhe nga ata të cilët asnjëherë nuk e kanë ndezur një cigare dhe janë pikërisht ata që bëjnë thirrje që të gjithë të kujdesen për shëndetin e tyre pasi sipas tyre është e tmerrshme që të miturit të konsumojnë duhanin.

    Maqedonia e Veriut është renditur në mesin e 10 vendeve për sa i përket konsumimit të duhanit dhe numrit të përgjithshëm të cigareve të pira në ditë nga duhanpirësit. Shqetësuese është edhe pirja pasive e duhanit në vend, ndërsa përqindja e shtëpive ku nuk konsumohet duhani është e vogël. Sa për të krahasuar, në Suedi vetëm 8.7% e popullsisë janë duhanpirës, ndërsa në Bullgari dhe Greqi 27%. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Tharja e gojës – Si ta zgjidhni me kurat e duhura natyrale

    Lajmi i rradhës

    Çfarë thotë Dodik dhe çfarë thuhet në Kushtetutën e Bosnjës?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë