CERTIFIKATAT PËR SHOFERË / Komisioni rikthehet në Dibër

    Pas shumë zhveshjeve nga kompetencat që kishin disa institucione shtetërore që vepronin në Dibër, para disa vitesh u ndërpre edhe funksionimi i Komisionit për dhënien e certifikatave shëndetësore për marrjen e lejes për vozitje. Edhe pse kryetari i komisionit ishte nga Dibra, për çudi ai funksiononte në Strugë, dhe rrjedhimisht dibranët detyroheshin të udhëtonin atje për të marrë certifikatën në fjalë.

    Drejtoria e Spitalit të Përgjithshëm në Dibër ka informuar se Ministria e Shëndetësisë ka dhënë miratimin për rikthimin e Komisionit në Dibër. Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Dibër, Mersim Koleci, bëri të ditur se pas shumë angazhimeve është arritur vendimi për rikthimin e komisionit në qytet, ashtu siç kishte qenë më parë.

    “Desha të ndaj me ju një lajm të mirë: pas më shumë se pesë muajsh aktivitetesh intensive, kemi arritur të rikthejmë në Dibër Komisionin për dhënien e Certifikatave Shëndetësore për leje drejtimi. Ky komision ishte shumë i rëndësishëm për të gjithë ne, dhe pas më shumë se katër vitesh, e rikthejmë atë në spitalin tonë, pasi kemi përmbushur të gjitha kërkesat e Ministrisë. Personalisht mora përsipër që të bëj të pamundurën për të arritur këtë qëllim – dhe ia dolëm!”, theksoi drejtori Koleci. Ky vendim është pritur me kënaqësi nga qytetarët e Dibrës, të cilët në të kaluarën përballeshin me vështirësi dhe harxhime shtesë për të marrë këtë certifikatë në Strugë.

    “Të premten, të gjithë kandidatët mund të paraqiten në ambientet e spitalit për të kryer vizitat e nevojshme. Vazhdojmë me përkushtim me qëllimin tonë të vetëm: afrimin e shërbimeve shëndetësore për të gjithë ata që kanë nevojë”, theksoi më tej Koleci.

    Në të kaluarën, kishte raste kur dibranët që dëshironin të merrnin patentë shoferi, shkonin deri në qendrën shëndetësore të Rostushës për të marrë certifikatën, pasi në Dibër mungonte komisioni. Para disa vitesh, pranë Spitalit të Përgjithshëm në Dibër filloi punën një komision i tillë, por më vonë ai ndërpreu aktivitetin, për shkak të mungesës së kuadrit të nevojshëm të mjekëve specialistë.

    Edhe pse më pas me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë kjo e drejtë iu dha Spitalit të Strugës, edhe për kandidatët nga Dibra, kryetarë të komisionit vazhdonin të ishin mjekë nga Dibra.

    “Kjo ishte një situatë e padrejtë dhe e lodhshme për ne”, tha Alban F. nga Dibra, i cili vitin e kaluar u detyrua ta merrte certifikatën në Strugë.

    Tani, Komisioni përfundimisht do të nisë punën ditët në vijim dhe, sipas Spitalit të Dibrës, kjo është një arritje e madhe. Vendimi i Ministrisë është përshëndetur nga qytetarët, veçanërisht ata që po përgatiten për të marrë certifikatën shëndetësore në kuadër të provimit për lejen e drejtimit. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    MES PRODUKTEVE VENDASE DHE TË LIRA! | Zgjedhja që varet nga xhepi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë