Çfarë ka ndodhur dhe çfarë pritet të ndodhë në Shri Lankë?

    AP

    Presidenti i Shri Lankës, Gotabaya Rajapaksa, i cili kishte njoftuar se do të jepte dorëheqje të mërkurën, është larguar nga vendi pas disa muaj trazirash, të cilat
    kulmuan me protestuesit që u futën në Pallatin Presidencial.

    Ja çfarë po ndodh në këtë ishull:

    •  Vendi po shkon drejt falimentimit
    •  Gjërat e domosdoshme ditore, duke përfshirë ushqimin dhe ilaçet, janë të pakta
    • Korrupsioni politik ka thelluar mosbesimin ndaj Qeverisë
    • Goditja e dyfishtë e Qeverisë dhe paqëndrueshmëria ekonomike po e ndërlikojnë më tej rimëkëmbjen.


    Kryeministri i Shri Lankës, Ranil Wickremesinghe, i cili tha se do të japë dorëheqjen pasi të vendoset një Qeveri e re, thotë se ekonomia e ngarkuar me borxhe të vendit ishull ka “kolapsuar”, meqë paratë për të paguar ushqimin, karburantin dhe ilaçet po mbarojnë.

    Ajo është mbështetur në ndihmën nga India fqinje, Kina dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

    Banorët e Shri Lankës po anashkalojnë vaktet e ushqimit, duke duruar mungesat e mëdha dhe duke u rreshtuar për orë të tëra në përpjekje për të blerë pak karburant dhe gaz për gatim. Është një realitet i ashpër për një vend, ekonomia e të cilit ishte rritur me shpejtësi, me një klasë të mesme në rritje dhe komode, derisa kriza e fundit u thellua.

    Sa serioze është kjo krizë?

    Qeveria ka 51 miliardë dollarë borxh dhe nuk është në gjendje të paguajë interesat e huamarrjes, e lëre më të pakësojë shumën e marrë hua.

    Turizmi, një motor i rëndësishëm i rritjes ekonomike, ka pësuar humbje për shkak të pandemisë dhe shqetësimeve për sigurinë pas sulmeve terroriste më 2019.

    Edhe valuta e këtij vendi ka rënë për 80%, duke i bërë importet më të shtrenjta dhe duke e përkeqësuar inflacionin që tashmë është jashtë kontrollit, me çmimet e ushqimeve që janë rritur me 57%, sipas të dhënave zyrtare.

    Ministria e Financave thotë se Shri Lanka ka vetëm 25 milionë dollarë rezerva valutore të përdorshme. Ajo ka nevojë për 6 miliardë dollarë për të qëndruar në këmbë gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

    Rezultati është një vend buzë të falimentimit, me pothuajse asnjë para për të importuar benzinë, qumësht, gaz gatimi, ilaçe dhe madje edhe letër higjienike.

    Çfarë roli luajti politika?

    Ekonomistët thonë se kriza vjen nga faktorë të brendshëm, si keqmenaxhimi dhe korrupsioni për vite të tëra.

    Pjesa më e madhe e zemërimit të publikut është përqendruar te presidenti Gotabaya Rajapaksa dhe vëllai i tij, ish-kryeministri Mahinda Rajapaksa. Ky i fundit dha dorëheqje pas disa javësh protesta kundër Qeverisë që përfundimisht u shndërruan në të dhunshme.

    Ish-kryeministri i Sri Lankës, Mahinda Rajapaksa, dhe vëllai i tij presidenti tashmë i arratisur Gotabaya Rajapaksa - Fotografi nga arkivi.
    Ish-kryeministri i Sri Lankës, Mahinda Rajapaksa, dhe vëllai i tij presidenti tashmë i arratisur Gotabaya Rajapaksa – Fotografi nga arkivi.

    Në prill 2021, Rajapaksa papritmas ndaloi importet e plehrave kimike. Shtytja për bujqësinë organike i kapi fermerët në befasi dhe shkatërroi të korrat kryesore të orizit, që shkaktoi rritje të çmimeve.

    Qeverisë i duhej të rriste të ardhurat e saj pasi borxhi i jashtëm për projektet e mëdha – dhe të dyshimta – të infrastrukturës u rrit, por në vend të kësaj Rajapaksa shtyu reduktimet më të mëdha të taksave në historinë e Shri Lankës.

    Kreditorët ulën vlerësimet, duke e bllokuar Shri Lankën nga huamarrja e më shumë parave, ndërsa rezervat e saj valutore u fundosën.

    Si ndikon kjo te njerëzit?

    Shri Lankas tropikale normalisht nuk i mungon ushqimi, por njerëzit janë të uritur.

    Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së thotë se gati nëntë nga 10 familje po anashkalojnë vaktet, përndryshe po kursejnë për të zgjatur ushqimin e tyre, ndërsa tre milionë njerëz po marrin ndihmë urgjente humanitare.

    Lufta në Ukrainë i ka rritur çmimet e ushqimeve dhe naftës. Inflacioni ishte afër 40 % dhe çmimet e ushqimeve u rritën gati 60% në maj.

    Mjekët u janë drejtuar mediave sociale në përpjekje për të marrë furnizime kritike të pajisjeve dhe ilaçeve. Ata, gjithashtu, paralajmëruan njerëzit që të bëjnë gjithçka për të shmangur sëmundjet ose aksidentet.

    Numri i banorëve të Shri Lankës, që po kërkojnë pasaporta për të shkuar jashtë shtetit në kërkim të punës, është në rritje. Me pak fjalë, njerëzit po vuajnë, janë të dëshpëruar dhe nuk presin që gjërat do të përmirësohen.

    Çka po bën Qeveria për këtë?

    Ky i fundit është mandati i gjashtë i Wickremesinghe si kryeministër. Emërimi i tij ishte një nga lëvizjet e shumta për të rrënjosur besimin në Qeveri dhe për të rikthyer ekonominë në rrugën e duhur, pasi protestuesit kërkuan fundin e dinastisë Rajapaksa.

    Kryeministri i Shri Lankës, Ranil Wickremesinghe.
    Kryeministri i Shri Lankës, Ranil Wickremesinghe.

    Deri më tani, Shri Lanka ka hasur në pengesa, e mbështetur kryesisht nga 4 miliardë dollarë linja krediti nga India fqinje. Një delegacion indian ishte në kryeqytetin Kolombo më 23 qershor për bisedime për më shumë ndihma, por Wickremesinghe tha se nuk duhet të presin që India ta mbajë Shri Lankën në këmbë për një kohë të gjatë.

    Më herët në qershor, Kombet e Bashkuara bënë një thirrje publike mbarëbotërore për ndihmë. Deri më tani, financimi i parashikuar mezi arrin 6 miliardë dollarë, që
    i duhen vendit për të qëndruar në këmbë gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

    Wickremesinghe i tha agjencisë Associated Press në një intervistë më 12 qershor se ai do ta konsideronte blerjen e naftës me zbritje nga Rusia, për të ndihmuar në kalimin e vendit përmes krizës së tij.

    Disa nga politikat që kontribuuan në dëmin ekonomik janë ndryshuar që atëherë, duke përfshirë uljen e taksave të vitit 2019 dhe ndalimin e importit të plehrave kimike të vitit të kaluar, por do të duhet kohë para se efektet të jenë të dukshme.

    Çka tutje për Shri Lankën?

    “Shri Lanka i ka shpresat e fundit te Fondi Monetar Ndërkombëtar”, tha një titull së fundi në gazetën Colombo Times.

    Qeveria është në negociata me FMN-në për një plan shpëtimi dhe Wickremesinghe tha më 22 qershor se ai priste të kishte një marrëveshje paraprake me FMN-në deri në fund të korrikut. Por, kjo varet edhe nga zëvendësimi i tij dhe një Qeveri e re që do të vendoset.

    Problem paraqet edhe korrupsioni politik; jo vetëm që luajti një rol në shpërdorimin e pasurisë së vendit, por gjithashtu ndërlikoi çdo shpëtim financiar për Shri Lankën. Udhëheqësit e Shri Lankës ranë dakord që ligjvënësit do të zgjedhin një president të ri më 20 korrik, por u përpoqën të martën për të vendosur për përbërjen e një qeverie të re.

    Anit Mukherjee, një bashkëpunëtor politikash dhe ekonomist në Qendrën për Zhvillimin Global në Uashington, tha se çdo ndihmë nga FMN-ja ose Banka Botërore duhet të vijë me kushte strikte për t’u siguruar që ndihma të mos keqmenaxhohet.

    Gjithsesi, Mukherjee vuri në dukje se Shri Lanka ndodhet në një nga korsitë më të ngarkuara të transportit në botë, kështu që të lejosh që një vend me kaq rëndësi strategjike të shembet, nuk është opsioni. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Studimi: Po ndryshojnë zjarret në Europë, Ballkani më i rrezikuari

    Lajmi i rradhës

    Qeveria paralajmëron masa për produktet bazike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë