Çfarë kushti duhet të plotësohet që Komuna e Tetovës të jetë e përgatitur kur ka shi të rrëmbyeshëm?!

    Tetova, gjatë ditës së djeshme dhe të sotme është ballafaquar me pasojat e shiut të rrëkeshëm. Një pjesë e qytetarëve e pësuan materialisht, pasi bodrumet e tyre u mbushën me ujë. Raportohet për dëme materiale, automjete të ngecura në ujë dhe pajisje elektronike të ngecura në bodrume. Dëmet janë të mëdha edhe në tokat bujqësore, si në kopshte të frutave, perimeve dhe në grurin e misrin, njofton Nistori.

    Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami sot para medias tha se vërshimet ndodhën për shkak të infrastrukturës në qytet, përkatësisht investimeve jo të përshtatshme.

    “U ballafaquam me një situatë absurdi ku, nuk e di a ka dikund tjetër vend nëpër botë, kanalizimet atmosferike të derdhen në kanalizimet fekale dhe në disa shtëpi të qytetarëve është kthyer uji i kanalizimeve fekale nëpër bordumet e tyre. Ne kemi intervenuar në një kohë rekord. Kemi dal në terren dhe kemi larguar ujin nga një pjesë e madhe e bodrumeve të qytetarëve. Një rast tjetër eklatant që tregon se çfarë ka ndodhur në të kaluarën këtu paraqet shkolla ‘Liria’ tek klumi i së cilës disa herë është intervenuar dhe sot përsëri na paraqitet një problem ku një pjesë e pllafonit të një klase ka rënë si rezultat i rrjedhjes së ujit nga kulmi. Nuk e di nëse është bërë një investim i mirëfilltë, i cili do të zgjidhte një problem afatgjatë. Por, si duket më shumë investimet kanë gjeneruar probleme se sa i kanë zgjidhur të njëjtat.” – tha Kasami.

    Kasami sot deklaroi se Komuna nuk ka qenë e përgatitur për një situatë si kjo. Madje, akuzoi menaxhmentin e kaluar të komunës. I pyetur nga Nistori se çfarë kushti duhet të plotësohet që Komuna në të ardhmen të ballafaqohet suksesshëm kur ka shi të rrëmbyeshëm, me qëllim që mos t’i ikë përgjegjësisë, ai u përgjigj:

    “Nuk është moment. Bëhet fjalë për një periudhë afatgjate që Komuna e Tetovës nuk është përgatitur për situata të këtilla. Kanalizimet atmosferike duhet të jenë të përshtatshme për prurje shtesë uji, sepse kur nuk kemi reshje të shiut, nuk ka duhen kanalizime atmosferike. Në këtë rast neve na duhet një intervenim më i shpejtë, por edhe afatgjatë që kanalizimi atmosferik të jetë ai cili duhet të paraqes zgjidhje të problemit dhe jo problem shtesë. a diku 4-5 vite që Komuna e Tetovës me përkrahje të UNDP-së ka pasur një studim fizibiliteti për të gjitha pikat kritike ku kanë qenë të bllokuara apo kanë mbaruar askund kanalizimi atmosferik dhe është dashur të ketë disa bajpase që ata të lidhen dhe të kalojnë pjesën e poshtme, të kalojnë në lum apo të kalojnë nëpër fushë, ku ka kanale thithëse. Ai studim fizibiliteti nuk është vënë në praktikë dhe nuk janë përgatitur projekte konkrete dhe ata pika kritike, ata bajpare të krijohen që të kemi një sistem kanalizimi i cili do të jetë funksional. Kemi shumë kanale të ujërave atmosferike që nuk janë funksional.” – theksoi kryetari i komunës.

    Kasami tha se nga nesër do t’i drejtohet Qeverisë që të ndihmojë qytetarët për t’u ballafaquar me dëmet nga shiu dhe në bazë të ndihmës, do të veprojë edhe Komuna e Tetovës dhe nuk do të lihen qytetarët në mëshirë të fatit.

    “Nga nesër do t’i drejtohemi Qeverisë me një kërkesë që të ndihmojë Komunën e Tetovës, të ndihmojë qytetarët e Tetovës në ballafaqim me këtë situatë. Urojmë që një pjesë të dëmeve, Qeveria t’iu dalë në ndihmë tetovarëve dhe në bazë të reagimit të tyre, do të veprojmë si komunë e Tetovës dhe sigurisht qytetarët nuk do të lihen në mëshirë të fatit.” – shtoi Kasami më tej.

    Ndryshe, sot u mbajt mbledhja e Shtabit të Krizës në Komunën e Tetovës lidhur me gjendjen e krijuar me rreshjet e shiut, që kaploi rajonin e Maqedonisë së Veriut, ku dëme të konsiderueshme shkaktoi edhe në Komunën e Tetovës.

    Kkryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami së bashku me anëtarët tjerë të Shtabit të Krizës në Komunën e Tetovës sollën këto konkluzione:

    1. Të bëhet kërkesë për ndihmë nga qeveria lidhur me menaxhimin e situatës dhe shpërblimin e dëmeve,
    2. Të bëhet kërkesë për ndihmë nga qyteti i Shkupit lidhur me pastrimin e rrugëve,
    3. Të vendohet kontakt numër për tu paraqitur dëmet nga ana e qytetarëve,
    4. Të vendoset komunikim i vazhdueshëm me qendrën për menaxhim me krizat, policinë dhe drejtorinë për mbrojtje dhe shpëtim lidhur me ndërmarrjen e masave paraprake për evitimin e dëmeve më të mëdha,
    5. Të bëhet kërkesë deri në qeveri për intervenim tek lumenjt, konkretisht për të pastruar shtretërit e lumenjve,
    6. Të formohen viber – grup në të cilin do të kordinohet shtabi i krizës lidhur me masat preventive të cilat duhet që të ndërmeren në rast të krizave,
    7.  Të intervenohet në pjesën e kanalizimit atmosferik (në plan afatgjatë)
    8. Të bëhet kontrollë i ujit për pije. /Nistori/
    Lajmi Paraprak

    Nuk ka të ndalur betonizimi në Tetovë

    Lajmi i rradhës

    Farat e linit mrekulli për lëkurën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë