Cilat prej masave ndëshkuese ka filluar BE-ja t’ia heqë Kosovës?

    Bashkimi Evropian më në fund ka nisur t’ia heqë dalëngadalë masat Kosovës, pas gati dy vjetësh, por me kusht që ajo t’i ulë tensionet në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe, kështu paralajmëroi në Prishtinë shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas.

    Derisa Kallasi nuk shpjegoi se kur ka filluar heqja e masave dhe çfarë masash mund të jenë hequr deri tani, Radio Evropa e Lirë mëson nga burime të saj në Bruksel masat që janë hequr kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), paktit të parë kontraktual ndërmjet Kosovës dhe bllokut evropian, dhe Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

    Sipas burimeve, tani ka filluar puna e disa nën-komiteteve të MSA-së, si dhe ofrimi i ndihmës teknike në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

    Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor është iniciativë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare dhe donatorëve, që synon zhvillimin socio-ekonomik dhe të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    Kosova mbështetet nga ky mekanizëm që nga viti 2009. Deri në vitin 2021, në Kosovë ishin mbështetur 30 projekte në vlerë prej 1.8 miliard eurosh nga ky mekanizëm. Projektet përfshijnë ndërtimin e rrugëve, rehabilitimin e hekurudhave, sistemet e ngrohjes qendrore dhe përmirësimin e sistemit të ujërave të zeza.

    Për vitet 2023-2030, në kuadër të këtij mekanizimi, në Kosovë janë paraparë edhe projekte të tjera, si: Autostrada e Paqes Prishtinë – Nish, rruga hekurudhore Beograd – Prishtinë, ngrohja diellore për Prishtinën, impianti për trajtimin e ujërave të zeza për Prishtinën e të tjera.

    Këto masa filluan të hiqen nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) dhe Komisioni Evropian pas diskutimeve në Këshillin e Punëve të Jashtme në prill, thotë burimi.

    “Vendimi vjen pas zhvillimit paqësor të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë në fillim të këtij viti. Siç tha Përfaqësuesja e Lartë [Kallas], ky proces është gradual dhe i kushtëzuar me përparim të vazhdueshëm drejt shtensionimit”, thekson burimi.

    EEAS dhe Komisioni tani po e zbatojnë këtë vendim, duke i mbajtur të informuara shtetet anëtare.

    Baza për këtë vendim ishin konkluzionet e Këshillit të BE-së nga dhjetori 2024, sipas të cilave BE-ja do të ishte e gatshme të fillonte heqjen graduale të masave, paralelisht me hapat e shtensionimit në veri të Kosovës, sipas burimit.

    Kallas paralajmëroi gjatë vizitës së saj në Prishtinë se, derisa ky vendim hap derën për mundësi më të mëdha për zhvillimin e Kosovës edhe për lidhje më të ngushta me Evropën, ai varet nga ulja e tensioneve në veri.

    BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023 – pas rritjes së tensioneve në veri të vendit.

    Kallas tha se mbyllja e institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës nga autoritetet kosovare “po minon” përpjekjet drejt shtensionimit të situatës.

    Autoritetet e Kosovës i kanë mbyllur një sërë institucionesh paralele serbe në javët e fundit, për të cilat thonë se janë të jashtëligjshme.

    Cilat janë masat e BE-së ndaj Kosovës?

    Masat e BE-së ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale.

    Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit).

    Programi IPA, sipas Komisionit Evropian, është paraparë si “mënyrë përmes së cilës BE-ja përkrah reforma në ‘vendet në procesin e zgjerimit’ me ndihmë financiare dhe teknike”.

    Kosova ka përfituar gjithsej 1.21 miliard euro nga ky program që nga viti 2007 deri në fund të vitit 2022.

    Ndërsa, nga programi Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor, Kosova ka përfituar rreth 1.8 miliard euro nga viti 2009 deri më 2021.

    Por, pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit 2023, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Bosnja shqipton dënimin e parë për mohimin e gjenocidit dhe lartësimin e kriminelëve të luftës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë