Ish-presidenti amerikan Bill Clinton tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka dashur prej kohësh të luftojë Iranin sepse në këtë mënyrë mund të qëndrojë në detyrë përgjithmonë.
“Netanyahu ka dashur prej kohësh të luftojë Iranin sepse në këtë mënyrë mund të qëndrojë në detyrë përgjithmonë. Dua të them, ai ka qenë atje pjesën më të madhe të 20 viteve të fundit”, tha ish-presidenti gjatë një paraqitjeje në “The Daily Show”.
Clinton tha se i bëri thirrje presidentit të ShBA-së Donald Trump të “shuajë” konfliktin aktual midis Izraelit dhe Iranit dhe t’i japë fund “vrasjes së vazhdueshme të civilëve”.
“Por unë mendoj se duhet të përpiqemi ta shuajmë atë dhe shpresoj që presidenti Trump ta bëjë.”
Sipas Clinton, as Netanyahu dhe as Trump nuk duan të shkaktojnë një katastrofë rajonale në shkallë të plotë, shkruajnë mediat e huaja.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e mbrojtjes së aleatëve të SHBA-së në rajon.
“Ne duhet t’i bindim miqtë tanë në Lindjen e Mesme se do të qëndrojmë me ta dhe do të përpiqemi t’i mbrojmë”, deklaroi ai.
“Por zgjedhja e luftërave të pashpallura në të cilat viktimat kryesore janë civilët, të cilët nuk janë të përfshirë politikisht, në një mënyrë ose në një tjetër, të cilët thjesht duan të jetojnë jetë të mirë, nuk është një zgjidhje shumë e mirë”, shtoi Clinton.
Ndryshe, SHBA deri më tani ka qëndruar larg veprimeve të drejtpërdrejta në konfliktin midis Iranit dhe Izraelit.
Por e ka ndihmuar Izraelin të rrëzojë raketat nga Teherani dhe e ka furnizuar atë me pajisje ushtarake. /Telegrafi/