ÇMIMET E LARTA TKURRIN BLERJET! Dikur me dhjetëra, sot blihen nga 2-3 litra vaj

    Edhe përkundër masave qeveritare për uljen e çmimeve të shumë artikujve ushqimore, sërish për një pjesë bukur të mirë të dibranëve, çmimet janë të papërballueshme dhe produktet blihen jo në sasi të mëdha si më parë. Ngaqë standardi i ulët po shihet gjithandej, janë reduktuar blerjet dhe në vend të sasive më të mëdha – tani blihen vetëm artikujt bazë për ushqim edhe atë sa më pak të jetë e mundur.

    Për disa qytetarë të Dibrës, çmimet e produkteve ushqimore janë gjithnjë e më pak të përballueshme. Dibrani Alber B. thotë se edhe përkundër masave Qeveritare për uljen e çmimeve të disa artikujve ushqimor dhe mjeteve higjienike, kriza ekonomike nuk i jep shumë mundësi atij dhe familjeve tjera dibrane që të furnizohen me sasi më të mëdha me artikujt bazë ushqimore siç janë furnizuar vite më parë. Alberti thotë madje se mezi arrin të sigurojë gjithçka që duhet për familjen e tij 5-anëtarëshe.

    “Gjithçka është shtrenjtuar dhe kjo nisi me fillimin e luftës në Ukrainë – vaji, mielli, sheqeri e plot produkte të tjera. Ato nuk janë kthyer më në çmimet normale, por janë duke u rritur vazhdimisht, edhe pse ka një ulje të lehtë të disa artikujve”, thotë 42-vjeçari nga Dibra. Para disa vitesh, vazhdon të tregojë Alberti, blija vaj nga një pako që dhjetëra litra, ndërsa tani blejmë nga dy apo tre litra, sa për të kaluar javën.

    Shumë familje dibrane, e veçmas ata që janë me ndihmë sociale, thonë se u është dashur të zvogëlojnë sasitë e produkteve higjienike për t’i zëvendësuar ato me ushqimet bazë.

    “Dikur blija detergjent të rrobave prej 9 kilogramësh, tash e marr nga ato 2 kilogramë”, tregon për gazetë Koha amvisja Drita.

    E, meqë ka fëmijë të vegjël, ajo përmend edhe shtrenjtimin e pelenave dhe të pecetave. Thotë se shpresa e saj e vetme është që me ndërhyrjen të Qeverisë dhe vazhdimin e uljes së çmimeve të produkteve esenciale, sidomos ato vendore, sepse siç thotë, janë bërë sado pak lehtësira. Ajo punon në institucion shtetëror, ku paga neto është rreth 500 euro, por për shportën mujore – vetëm për ushqimet bazë thotë se i duhen rreth 400 euro.

    “Këtu, pa e përfshirë rrymën që më kushton rreth 40 euro – plus faturat tjera, drutë për ngrohje, uji, mbeturinat”, tregon Drita.

    Edhe mërgimtarët që jetojnë në Bashkimin Evropian, kur vijnë për pushime në vendlindje, thonë se çmimet në përgjithësi janë shumë të larta. Ata shpeshherë dëgjohen kur thonë se disa artikuj janë më të shtrenjta në Maqedoni se në vendet ku jetojnë e që marrin shumë rroga disa fish më të lartë se sa këtu.

    Lajmi Paraprak

    “Qëndro i fortë, qëndro i patrembur, ti nuk je kurrë vetëm” – liderët europianë në përkrahje të Zelensky-t pas takimit me Trump-in

    Lajmi i rradhës

    TURQIT “VËRSHOJNË” RMV! / Rritje e numrit të lejeve të përkohshme të qëndrimit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë