Shteti, nga ana tjetër, ka nxjerrë në shitje tre apartamentet në kompleksin Panorama Residence, të cilat u konfiskuan pas vendimit të formës së prerë në rastin “Vodno Plots”. Prokuroria i lidhi këto prona me ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, duke i konsideruar si pasuri të fshehura.
Fotografitë e publikuara në faqen zyrtare të Agjencisë për Menaxhimin e Pronës së Sekuestruar zbulojnë një pjesë të luksit që ofrojnë këto apartamente.
Dy prej apartamenteve kanë një sipërfaqe prej rreth 200 metrash katrorë secili, si dhe tarraca prej afro 50 metrash katrorë. Çmimi fillestar i shitjes është 850 mijë euro për secilin, që do të thotë se çmimi për metër katror nis nga mbi 4.000 euro.
Apartamenti i tretë ka një sipërfaqe prej 150 metrash katrorë dhe një tarracë të madhe prej rreth 95 metrash katrorë. Çmimi fillestar i tij është 760 mijë euro.
Shitja do të realizohet përmes ankandit publik. Të interesuarit do të kenë mundësi t’i vizitojnë apartamentet më 16 korrik, ndërsa ankandi është caktuar të mbahet më 29 korrik.
Gruevski, të cilit i është dhënë azil në Hungari, jeton atje prej vitesh. /Nistori/






