Deputetja e Frontit Europian, Ilire Dauti në shenjë revolte sot ka braktisur seancën e Komisionit Kuvendor, pasi që ligjet u janë dorëzuar vetëm në gjuhën maqedonase dhe jo edhe në gjuhën shqipe.
“Mua më mbetet të braktis këtë seancë në shenjë revolte, derisa Inspektorati të japë përgjigje konkrete se çfarë ndodh me përdorimin e gjuhës nga ana e kësaj Qeverie”, tha Ilire Dauti – deputete e Frontit Europian.
“Sot braktisa seancën e komisionit për çështje ekonomike, pasi Qeveria vazhdon të mos respektojë gjuhën shqipe. Nga 8 ligje të propozuara vetëm në gjuhën maqedonase, 7 ishin nga ministri i ekonomisë, Besar Durmishi, ndërsa deputetët e VLEN nuk ishin as prezent në seancë që të ngrijnë zërin për këtë diskriminim. I bëra thirrje publike inspektoratit për zbatimin e gjuhës që të ndjek këtë praktikë antikushtetuese të Qeverisë dhe t’i detyrojë që ligjet të dërgohen në Kuvend edhe në gjuhën shqipe”.
“Gjuhën tonë do të vazhdojmë ta mbrojmë në çdo formë demokratike, ndërsa sot ranë maskat e atyre që heshtin para VMRO-DPMNE-së, ndërsa paraqiten vetëm kur duhet të përvetësojnë meritat për sukseset që i arrijmë bashkë me shqiptarët”, ka shkruar Dauti.