Çdo vit, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) e Kosovës publikon pasurinë që zyrtarë shtetërorë deklarojnë se e posedojnë. Banesa, toka, vetura, para të gatshme… Ja çfarë duhet të dini nga deklarimet e fundit.
Në fund të marsit të vitit 2021, qeveria “Kurti II” nisi mandatin e saj të plotë – mandat të cilin po e vazhdon ende në detyrë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe 15 ministrat e tij, të gjithë kanë dorëzuar deklarimet e pasurisë këtë vit.
Sipas të dhënave në këto deklarime, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka dukshëm më shumë para se kolegët e saj në llogari bankare.
Megjithatë, qysh në deklarimin e parë në vitin 2021, kur ishte emëruar ministre, Rizvanolli kishte deklaruar mbi 191 mijë euro para të gatshme.
Ajo kishte deklaruar se këto para i kishte fituar gjatë angazhimeve të saj të mëhershme si konsulente dhe ligjëruese në organizata e institucione të ndryshme, si Agjencia gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).
Për shumicën prej tyre, pjesa më e madhe e të ardhurave vjetore vijnë nga pagat që marrin për pozitat që ushtrojnë.
Përveç parave të gatshme, zyrtarët shtetëtorë detyrohen të deklarojnë edhe pasurinë e paluajtshme në posedim të tyre dhe të familjarëve të afërt.
Po politikanët e tjerë?
Pasurinë e tyre detyrohen ta deklarojnë edhe zyrtarë të tjerë publikë.
Në këtë listë hyjnë edhe zyrtarët e partive politike, si Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), presidentja Vjosa Osmani, si dhe Glauk Konjufca, i cili për katër vjet mbajti postin e kryeparlamentarit.
Pasuria e tyre e deklaruar së fundi – sa u përket parave të gatshme në llogaritë e tyre bankare – dallon nga ajo që ishte deklaruar katër vjet më parë. Disa janë pasuruar, e disa kanë deklaruar dhjetëra mijëra euro më pak.
Nga ta, vetëm Krasniqi i PDK-së ka deklaruar se nuk ka asnjë të ardhur tjetër vjetore, përveç pagës së zyrtarit publik.
Haradinaj i AAK-së, i cili deklaroi se më së shumti fiton nga qiratë që merr nga pronat e tij, vazhdoi të investojë në pasuri të paluajtshme edhe këto vitet e fundit.
Si verifikohet deklarimi i pasurisë?
Deklarimi i pasurisë nga personat publikë në Kosovë ka filluar qysh në vitin 2007.
Pas përfundimit të procesit të deklarimit të pasurisë, APK-ja, përmes shortit, zgjedh një numër të caktuar të zyrtarëve publikë, të cilëve ua verifikon pasurinë e deklaruar.
Ligji për deklarimin e pasurisë i obligon zyrtarët e lartë publikë që ta deklarojnë pasurinë e tyre 30 ditë nga marrja e postit të ri, dhe pastaj në baza vjetore.
Mosdeklarimi i pasurisë, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet, ndërsa deklarimi i rremë i pasurisë është i dënueshëm me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet.
Deri më tash, asnjë nga zyrtarët që nuk e ka deklaruar pasurinë, nuk është dënuar me burgim.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u dënua në fund të vitit 2022 me gjobë prej 700 eurosh nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për shkak të mosdeklarimit të pasurisë për vitin 2020 brenda afatit ligjor. /REL/