Përfshirja e të miturve në veprat e rënda kriminale është gjithnjë në rritje në rajonin e Tetovës dhe jo vetëm. Sipas të dhënave të policisë së Tetovës, gjatë vitit të kaluar janë shënuar gjithsej 75 vepra nga sfera e delikuencës, kurse këtë vit vetëm për tre muaj janë regjistruar 36 vepra penale ku të involvuar kanë qenë adoleshentët. Rritje është shënuar edhe nëse i krahasojmë shifrat e viteve 2024 me 2023, ku sipas të dhënave zyrtare për 36 për qind ka rritje të këtyre veprave, respektivisht në vitin 2024 ka më shumë vepra ku janë të përfshirë të miturit se sa në vitin 2023. Ndërkaq, këtë vit janë shënuar edhe katër kundërvajtje në lidhje me delikuencën e të miturve.
Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë thonë se të rinjtë gjithnjë e më shumë janë të përfshirë në vepra kriminale, ku në të kaluarën kanë qenë të përfshirë të rriturit. Bëhet fjalë për vjedhje, përdorim të drogës, rrahje, përdorim të dhunës dhe sjelljeve të pahijshme në rrugë ose në komunikacion.
“Si në vitin 2024 edhe këtë vit, të miturit në një numër të madh të rasteve paraqiten si kryerës të ‘vjedhjeve të rënda’ dhe ‘Vjedhjeve’, të nxitur në kryerjen e këtyre veprimeve negative dhe devijuese nga persona të rritur madhorë, duke patuar me veprat penale ‘Dhunë’, ‘Rrezikim të sigurisë në komunikacion’, ‘Prodhim i paautorizuar dhe i drogave narkotike, substancave psikoterope dhe prekursorëve’, si dhe vepra të tjera” deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.
Por, edhe pse gjithnjë ka aktivitete të shtuara në lidhje me parandalimin e delikuencës, megjithatë mosha e re nuk qetësohet, por vazhdojnë të kryejnë vepra penale të natyrave të ndryshme. Në drejtim të parandalimit të këtyre llojeve të veprave penale tek të miturit, Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë ndërmerr aktivitete parandaluese dhe edukative përmes njësitit për parandalim.
“Me realizimin e projekteve dhe ligjëratave në shkollat fillore dhe të mesme, me qëllim të ngritjes së ndërgjegjes, vetëdijes dhe kulturës së përgjithshme te popullata e re, mbahen ligjërata lidhur me këto akte, pasojat dhe implikimet ligjore nëse ata kontribuojnë drejtpërdrejtë ose në mënyrë indirekte në këto akte, gjithashtu realizohen edhe takime apo punëtori të shpeshta me drejtorët apo stafin e shkollave me qëllim detektimin zbulimin dhe kontrollin në kohë të delikuencës së të miturve dhe largimin e tyre nga këto sjellje devijuese në shoqëri”, tha zëdhënësi Rexhepi.
Krahas kësaj, nga policia njoftojnë se janë shtuar patrullimet pranë objekteve shkollore me qëllim që të parandalohen veprat që i kryejnë adoleshentët. Patrullime policore ka edhe pranë stacioneve të autobusëve sepse edhe pranë stacioneve jo rrallë herë janë regjistruar zënka mes nxënësve të shkollave të mesme. /Koha/