Demiri: nënshkruhet marrëveshje dyvjeçare për bashkëpunim me OBSh-në

    Demiri potencoi se OBSh është partnere e përhershme e MSh-së në angazhimet për avancim të kapaciteteve në sistemin tonë shëndetësor.

    “Tregues për bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm dhe të suksesshëm janë projektet e shumta të realizuara me mbështetje të OBSh-së në institucionet shëndetësore në shtet. Me këtë rast do të doja të shpreh mirënjohje të sinqertë për drejtorin rajonal të OBSh-së, dr, Hans Kluge, për mbështetjen e vazhdueshme në drejtim të fuqizimit të sistemit shëndetësor në Maqedoninë e Veriut, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme nga zyra e OBSh-së në Shkup në zbatimin e aktiviteteve të shumta“, ka thënë Demiri, qëndron në kumtesë.

    Në paraqitjen e tij, ministri theksoi se Maqedonia e Veriut është vend me aspirata drejt Bashkimit Evropian, dhe pikërisht për këtë, nënvizoi, angazhohemi drejt përmbushjes së të gjitha detyrimeve të cilat dalin nga procesi i qasjes drejt BE-së, si dhe përmbushjen e detyrimeve globale dhe rajonale, veçanërisht të qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, programit evropian të OBSh-së për shëndet 2021 – 2025 dhe udhërrëfyesit për Ballkanin Perëndimor.

    Drejtori rajonal i OBSh-së për Evropë, Hans Kluge, duke e uruar ministrin për bashkëpunimin e shkëlqyer deri më tani, ka shprehur vendosmëri për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen.

    “Ndërmorën një varg aktivitetesh që t’i fuqizojmë funksionet drejtuese të Ministrisë së Shëndetësisë. Jam shumë krenar për ato aktivitete, sepse janë në interes të përbashkët. Ju falënderoj për mbështetjen gjatë zbatimit me sukses të politikave shëndetësore në mënyrë të qëndrueshme, Maqedonia e Veriut është shembull për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor“, deklaroi Kluge.

    Demiri mes tjerash ka theksuar se gjatë muajit të kaluar që kur është emëruar në pozitën ministër i Shëndetësisë, një nga prioritetet e tij kryesore është pikërisht mbajtja në vazhdimësi në zbatimin e këtyre aktiviteteve.

    Duke e nënshkruar marrëveshjen dyvjeçare për bashkëpunim, ministri Demiri dhe drejtori rajonal Kluge, u falënderuan për punën me sukses edhe të kolegëve të OBSh-së në Shkup, të udhëhequr nga Ane Johansen, përfaqësuese speciale e OBSh-së për Maqedoninë e Veriut. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    “Të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor të sigurojnë zgjedhje të ndershme dhe demokratike”

    Lajmi i rradhës

    Lidhja e fortë mes mbipeshës, problemeve të frymëmarjes dhe azmës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë