Studentët dhe qytetarët në Serbi mbajtën një prej protestave më të mëdha, por Vuçiqi nuk i pranoi kërkesat e tyre. Ka pasur dhunë dhe arrestime.
Sipas Arkivit të Tubimeve Publike në Serbi, rreth 140,000 njerëz u mblodhën mbrëmë në qendër të Beogradit për të protestuar kundër presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe qeverisë së tij. Presidenti Vuçiqifoli për shifra shumë më të vogla, por ai njoftoi që para fillimit të protestës se nuk do t’i plotësojë kërkesat e studentëve dhe protestuesve të tjerë për zgjedhje të parakohshme.
Ai kundërshtoi edhe kërkesën që nga qendra e qytetit të largohen “studentët që duan të mësojnë”, një grup studentësh dhe persona të tejrë të afërt me regjimin, që janë besnikë ndaj Vuçiqit.
Protestat e qeta dhe shpërthimi i dhunës
Protestat në Beograd janë mbajtur për një kohë të gjatë të qeta dhe me fjalime që përcilleshin me brohoritje. Në fund studentët shpallën përfundimin e protestës dhe u tha se në vazhdim do të veprojnë si qytetarë të rëndomtë. Por disa grupe e kanë shfrytëzuar këtë masë të protestuesve dhe kanë shkaktuar incidente dhe dhunë.

Në momentin kur rojet e protestës së studentëve hoqën veshjet si kujdestarë dhe thanë se secili duhet të sillet sipas ndërgjegjës së tij, së shpejti filluan incidentet me policinë.
Ka pasur përleshje me policinë në disa vende pranë Parkut të Pionierëve në qendër të Begradit, pati të shtëna me topa, u hodhën gurë dhe shishe, si dhe u përdorën gaz lotsjellës dhe shkopinj nga policia. Disa persona u plagosën dhe u ndaluan nga policia.
Përleshjet zgjatën deri vonë natën.
Policia ka vazhduar aksionet kundër demonstruesve me orë të tëra. Edhe nga ana e demonstruesve kishte njerëz të gatshëm të përshkallëzojnë protestën.
Çfarë mbeti pas protestës?
Në fund, e vetmja gjë që mbeti pas demonstratave të djeshme masive, ishin akuzat e ndërsjella të palëve. Nga njëra anë për shkak të brutalitetit dhe dhunës së policisë, dhe nga ana tjetër, kërcënimet e pushtetit. Prokurori i shtetit Nenad Stefanoviq tha se të gjithë ata që kanë sulmuar policinë do të “identifikohen, do të ndiqen penalisht dhe do të përgjigjen para drejtësisë”. /DW/