DEPONITË E EGRA NË LIKOVË | Faji pa adresë, problemet pa zgjidhje!

    Në Komunën e Likovës, banorët vazhdojnë të helmohen nga tymi dhe era e deponive, të cilat po ndikojnë negativisht në cilësinë e jetesës. Ky problem ka zgjatur për më shumë se dy dekada, me premtime të vazhdueshme për një zgjidhje, por deri tani nuk është realizuar asnjë veprim konkret për të trajtuar këtë çështje. Në korrik të këtij viti, zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, së bashku me zëvendëskryeministrin Arben Fetai, paralajmëruan mbylljen e deponisë jostandarde të Likovës, e cila ndodhet pranë fshatit Nikushtak. Megjithatë, deri më sot, asnjë veprim konkret nuk ka pasur efekt për zgjidhjen e problemit.

    Edhe pse Komuna e Likovës ka ndërmarrë disa hapa si vendosja e një muri metalik, banorët e fshatrave përreth vazhdojnë të përballen me problemet e mbetjeve dhe ndotjes, duke dëshmuar se premtimet e bëra ende nuk janë shndërruar në masa efikase për të përmirësuar kushtet e jetesës në këtë komunë.

    Kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi tha për gazetën Koha se deponitë e egra do të largohen sapo të hapet fabrika apo deponia e rregullt për mbeturina.  

    “Në lidhje me deponitë e egra, këto do të mbyllen sapo të hapet fabrika e planifikuar. Trajtimi i këtyre deponive është në kompetencë të MMJPH-së. Përndryshe, ne si Komunë do të vazhdojmë të mbështesim çdo iniciativë që kontribuon në përmirësimin e mjedisit dhe zgjidhjen e këtyre çështjeve”, tha Arifi. Nga ana tjetër, në hyrje të liqenit të Gllazhnjës mbi Likovë, është krijuar gjithashtu një deponi e egër ku janë hedhur një sërë mbeturinash të ndryshme, që po rrezikon mjedisin dhe banorët. Edhe për këtë, Arifi tha se liqeni i Gllazhnjës është në kompetencë të Drejtorisw sw Ujërave, dhe jo të Komunës së Likovës.

    Ndërsa nga Inspektorati Komunal i Komunës së Likovës theksuan se mbeturinat janë pastruar njëherë, por banorët e papërgjegjshëm i hedhin përsëri.

    Kështu, në një periudhë që shkon përtej dy dekadave, Komuna e Likovës vazhdon të mbetet në një spirale premtimesh të pabazuara dhe veprimesh që dështojnë të sjellin zgjidhje. Faji për këtë situatë duket se është lënë të “gjunjëzohet” nga përgjegjësia dhe të mbetet jetim, ndërsa qytetarët vazhdojnë të paguajnë çmimin. E krejt në fund, ashtu siç e gjuajmë topin e fajit pa e mbajtur nën kontroll, ai ka rënë dhe ka mbetur pa një adresë konkrete për t’u zgjidhur. Si pasojë, banorët e Komunës së Likovës vazhdojnë të përballen me ndotjen e deponive dhe mungesën e ujit të pijshëm nga Liqeni i Gllazhnjës, ndërsa autoritetet nuk arrijnë t’i zgjidhin problemet teknike me ujësjellësin dhe trajtimin e mbetjeve. Në këtë panoramë, premtimet dhe fjalët mbeten gjithnjë e më të largëta, dhe realiteti i qytetarëve të Likovës vazhdon të jetë një udhëkryq ku zgjidhjet duket se janë ende të paarritshme.

    Ndër të tjera, Ndërmarrja Publike Komunale e Komunës së Likovës “Pisha” që nga viti 1997 me vendim të këshillit komunal, i hedh mbeturinat e fshatrave Nikushtak, Orllancë dhe Grushinë në një deponi të egër dhe pa asnjë standard.

    Lajmi Paraprak

    Mungesa e librave profesional po i lë në “baltë” nxënësit në RMV

    Lajmi i rradhës

    Mickoski: partizimi i administratës është një problem i hapur, synojmë shërbime për qytetarët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë