Deputetët e opozitës në RMV më aktivë sesa ata të pushtetit!

    Në shkallën nga 1 deri në 10, nota për cilësinë e debatit në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për gjysmën e dytë të vitit 2022 është 5.7. Këtë e ka treguar vëzhgimi i Institutit për Demokraci në periudhën korrik – dhjetor të vitit 2022. Fokusi ka qenë në diskutimet lidhur me pikat e rendit të ditës parlamentare që janë në fushën e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe demokracisë, bën të ditur Instituti për Demokraci.

    “Pavarësisht përmirësimit të lehtë krahasuar me periudhën janar – qershor të vitit 2022 (5.6), raporti për këtë periudhë tregon një nivel të ulët të cilësisë së debatit dhe konfirmon konkluzionin se ka vend për përmirësim të dukshëm”, thonë nga Instituti.

    Ata theksojnë se në përgjithësi ka një përmirësim të lehtë të nivelit të argumentimit nga pjesëmarrësit në diskutimin në Parlament, krahasuar me periudhën e mëparshme vëzhguese janar – qershor të vitit 2022.

    “Folësit nuk kanë pasur argumente në 39 për qind të prezantimeve të tyre, ndërsa në 54 për qind kanë pasur argumente të dobëta. Një ose më shumë argumente u vunë re në 7 për qind të diskutimit. Në këtë periudhë raportuese, në diskutimet e vëzhguara nuk ka pasur ndryshim qëndrimi te deputetët, as për shkak të argumenteve më të mira mes bashkëbiseduesve dhe as për arsye të tjera”, theksojnë nga Instituti për Demokraci.

    Kur bëhet fjalë për qëndrimin e deputetëve ndaj personalitetit të kolegëve të tyre nga një parti tjetër politike, vëzhguesit vunë re se respekti është shprehur në 17 për qind të diskutimit, që është një progres i dukshëm në ndryshim nga periudha e mëparshme e vëzhgimit, kur shprehej respekt i qartë në 1 për qind të rasteve.

    “Por pavarësisht këtij përmirësimi, deputetët vazhdojnë t’i referohen më shumë karakteristikave personale të bashkëbiseduesve se sa shqyrtimit thelbësor të argumenteve të tyre”, theksojnë nga Instituti.

    Raporti konfirmon gjithashtu respektin e ulët të deputetëve ndaj të drejtave të grupeve të margjinalizuara, gjatë të gjitha periudhave të vëzhgimit. Është vënë re se në rreth 87 për qind të diskutimeve të tyre, deputetët nuk i referohen të drejtave të grupeve të margjinalizuara, përveç rasteve kur diskutojnë në mënyrë specifike një ligj apo temë të caktuar në rendin e ditës që lidhet me të drejtat e tyre.

    Deputetët e opozitës ishin më aktivë në pjesëmarrje në diskutime, duke marrë pjesë në 63 për qind të diskutimeve të vëzhguara, ndërsa deputetët e qeverisë morën pjesë në 37 për qind. “Deputetët Bojan Stojanoski dhe Gordana Siljanovska Davkova kanë folur më së shpeshti dhe më së shumti kanë qëndruar në foltoren e Kuvendit, njofton Instituti për Demokraci. Instituti për Demokraci që nga qershori i vitit 2014,  ka monitoruar cilësinë e debatit në Kuvend dhe punën e legjislativit në përgjithësi. Në janar të vitit 2020 filloi cikli i katërt i monitorimit, në kuadër të Programit për Mbështetjen Parlamentare (PMP), i cili mbështetet nga Qeveria e Zvicrës. Ky projekt zbatohet në partneritet me Institutin Kombëtar Demokratik (IKD) dhe Qendrën për Menaxhimin e Ndryshimeve (QMN).

    Lajmi Paraprak

    Vetëm 12 shqiptarë marrin vauçerë nga 284 sportistë tjerë të RMV-së

    Lajmi i rradhës

    Rritet numri i fëmijëve me dëmtime të shëndetit mendor në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë