105 nga 314 propozim-ligje të dorëzuara në Kuvend vitin e kaluar nuk kanë qenë objekt i kontrollit antikorrupsion, theksojnë nga sektori joqeveritar. Ky trend ka vazhduar edhe këtë vit, ndërsa ekspertët vlerësojnë se kjo ndodh sepse deputetët keqpërdorin mekanizma të caktuar për të miratuar ligje në dobi të tyre, pa iu nënshtruar kontrolleve.
“Kuvendi në vazhdimësi e përdor procedurën e shkurtuar për miratimin e ligjeve, gjë që mund të interpretohet si veprim sipas modelit të një garniture të caktuar politike, përkatësisht sipas apetiteve politike. Prandaj nuk duhet të na befasojë konstatimi i qytetarëve, përkatësisht perceptimi i tyre sipas raportit për vlerësimin e korrupsionit për vitin 2023, ku thuajse 80 për qind e qytetarëve i konsiderojnë deputetët si një nga profesionet më të korruptuara në shtet”, deklaroi Snezhana Kamilovska Tërpovska nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar.
Edhe vetë anëtarët e Antikorrupsionit kanë konstatuar raste të korrupsionit tek vetë deputetët – i tillë ishte rasti vitin e kaluar me deputeten e LSDM-së, Bisera Kostadinovska Stojçevska, por ajo vazhdoi të ushtronte funksionin e saj. Ekspertët vlerësojnë se kur shfaqen raste të tilla, më i rëndësishmi është presioni kolektiv.
“Në rastet kur shfaqet problem te deputetët, presioni kolektiv është ai që është më efektivi, sepse ata si kolegë mund të reagojnë dhe duhet të jenë të zëshëm në qëndrimin se nuk ka vend në Kuvend për deputetë të përfshirë në korrupsion”, tha Misha Popoviq, Instituti për Demokraci.
Analiza e disa organizatave joqeveritare ka konstatuar se në janar të këtij viti, nga 14 ligje të propozuara në Kuvend, të gjitha 14 janë miratuar me procedurë të shkurtuar; në shkurt, nga 15 të propozuara, 14 kanë kaluar me procedurë të shkurtuar, ndërsa në mars, nga 24 ligje, 22 janë votuar me të njëjtën procedurë. Përfundimi dhe rekomandimet nga sektori joqeveritar për deputetët janë se pjesa më e madhe e ligjeve duhet të miratohen me procedurë të rregullt, pasi në këtë mënyrë ato i nënshtrohen më shumë kontrolleve dhe shanset për korrupsion dhe konflikt interesi janë më të vogla. /Alsat/