Dervishi: siç afrohen zgjedhjet, shpeshtohen dezinformatat

    Si ballafaqohen gazetarët me dezinformatat që vijnë nga politika, sidomos para zgjedhjeve? Për këtë çështje, “Poligraf” bisedoi me Fatlume Dervishin, gazetare dhe redaktore në TV Alsat.

    Poligraf: Fatlume, na thuaj pak se në cilat tema më së shpeshti hasim dezinformata?

    Dervishi: Era, unë si gazetare në përditshmëri ndjek politikën, dhe mund të themi se ashtu siç afrohen zgjedhjet, në përditshmëri shtohen edhe dezinformatat. Kohën e fundit, sa i takon politikës, kemi pasur disa dezinformata sa u takon kandidatëve. Veçanërisht, partitë politike kanë matur pulsin e qytetarëve kur ka qenë mundësia për të promovuar kandidatët e tyre për president. Kanë nxjerrë emra të ndryshëm, të cilët nuk kanë qenë shumë të verifikuar, vetëm për të matur se si njerëzit do të reagojnë. Ka pasur edhe dezinformata një parti politike që i ka nxitur rreth partisë tjetër politike. Dhe, me afrimin e zgjedhjeve, mund të them se këto do të intensifikohen.

    Poligraf: Në bazë të hulumtimeve të bëra në vendin tonë sa i përket dezinformatave, del që politikanët janë në krye të listave si burime për dezinformata. Si përballen gazetarët me dezinformatat, të cilat vijnë nga politika direkt?

    Dervishi: Sa herë që duhet të bëj një lajm, ne kontrollojmë së pari profilet zyrtare të politikanëve, për të parë nëse ata kanë publikuar diçka rreth temës të cilën ne e mbulojmë. Pothuajse të gjithë politikanët dhe liderët e partive te ne kanë një profil zyrtar, profil që ne e quajmë fun page, ku aty postojnë idetë e tyre, dhe pastaj kanë edhe një profil privat ose llogari private në Fejsbuk ose në mediat e tjera, edhe aty postojnë mendimet e tyre.

    Nëse kërkon një politikan të caktuar, mund të dalin edhe profile të tjera, të cilat nuk janë të verifikuara, nuk janë të konfirmuara, kështu që ne ato profile nuk i marrim parasysh. Gjithçka që postohet në ato profile nuk është informacion i besueshëm. Shpeshherë me ato profile menaxhojnë njerëz të cilët janë fansa të atij politikani ose kanë qëllime të tjera, dhe gjithmonë ato profile nuk janë të besueshme dhe nuk duhet të ndiqen. Dhe, për më tepër, kontaktojmë direkt me partitë politike dhe me burimet zyrtare brenda partive politike për t’i konfirmuar ato informacione.

    Poligraf: Po në rastet kur kemi shpërndarje të dezinformatave, qoftë përmes statuseve të Fejsbukut apo ndonjë mënyre tjetër, a është e rëndësishme që gazetarët të shkojnë dhe të kontrollojnë edhe nëpër institucione, të kërkojnë nëpër arkiva të ndryshme, para se të publikojnë lajmin?

    Dervishi: Për gazetarët kjo është një rutinë e përditshme, verifikimi i informacionit. Sa herë që marrim një informacion, kemi burimet tona brenda partive politike. Përveç që konsultojmë një burim brenda partisë politike, konsultojmë edhe burimin zyrtar, ose kanalin zyrtar brenda të cilit i marrim informacionet.

    Nëse flasim konkretisht për paritë politike, këto mund të jenë zëdhënësit e partive politike, mund të jenë deputetët, mund të jenë ministrat nëse bëhet fjalë për ndonjë institucion. Kështu që, na është bërë rutinë që gjithmonë një informacion ta verifikojmë dy deri në tre herë, dy ose tre burime të na konfirmojnë që është ose jo i besueshëm. E tani, jemi gjithmonë edhe në presionin e kohës. Ndodh që lajmi na vjen në ora tre e gjysmë, dhe në ora katër ne kemi edicionin e lajmeve. Megjithatë, duhet të punosh shpejt, domethënë presioni i kohës është gjithmonë, sidomos në televizion, sepse je i kufizuar me kohën dhe mundohemi pa verifikuar mos ta publikojmë. Është shumë e rëndësishme që pa verifikuar të mos publikohen informacionet. /IMA/

    Lajmi Paraprak

    Xhaferi: protestat e universiteteve janë për politika ditore, nuk do ta nënshkruaj marrëveshjen kolektive

    Lajmi i rradhës

    ShBA-ja ndëshkon kompaninë “Cytrox” në RMV, për shkak të rrezikut të sigurisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë