DËSHTIMI I 14 TENDERËVE! / E 15-ta e vërteta për Çebrenin!

    Pas 14 dështimesh të “tenderëve”, për ndërtimin e hidrocentralit të Çebrenit, ekzekutivi paralajmëron se ai megjithatë do të ndërtohet. Kjo sidomos në prizmin e pavarësisë energjetike të vendit, dhe uljes në minimum të importit të rrymës nga jashtë. Vendi për çdo vit sidomos në sezonin e dimrit po importon energji elektrike që shkon edhe mbi 100 milionë euro në vit. Vetëm në tre vitet e fundit janë dhënë 340 milionë euro për importin e rrymës, ndërsa trende të tilla negative janë regjistruar edhe në të kaluarën ku, për shembull, në periudhën 2008 deri në prill 2013 ishte importuar mbi 800 milionë euro rrymë.

    Në ndërkohë, pas dështimit të tenderit nga ana e kompanisë greke PPÇ, që fitoi tenderin për përdorimin e ujit të lumit Crna Reka në Maqedoninë e Veriut për prodhimin e energjisë elektrike dhe ndërtimin e hidrocentralit, tani mbetet dilema e mënyrës së ndërtimit të një ide që daton që nga vitet 60 të shekullit të kaluar. Paraprakisht synohej që një e treta e hidrocentralit të jetë në pronësi të shtetit. Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, thekson se kjo Qeveri nuk do ta braktisë projektin për ndërtimin e hidrocentralit Çebren në lumin Crna Reka. Ajo tha se deri më tani janë mbajtur dy takime, ku janë përfshirë të gjithë profesorët e njohur nga fusha të ndryshme që kanë përvojë me ndërtimin e objekteve të tilla kapitale në vend.

    “Në Elektro-Ekonominë e Maqedonisë ka studime të vitit 1960 që ne tashmë po i shqyrtojmë dhe më i fundit është i vitit 2022. Profesorët rishikuan të gjitha studimet. Nuk duam të bëjmë një studim tjetër fizibiliteti, që mund të na marrë një vit, apo një vit e gjysmë. Duam të bëjmë një projekt për të parë se çfarë mund të bëhet sepse hidrologjia është e ndjeshme ndaj ndryshimeve klimatike”, tha Bozhinovska.

    Ne, tha ajo, duam që ky të jetë një projekt shtetëror, por do të shohim sa para do të kushtojë.

    “Këto janë asete serioze, por sigurisht që do të shohim që shteti të jetë pronar dominues. Duhet të shohim se sa do të kushtojë i gjithë projekti dhe të bëjmë plane sesi do ta financojmë më tej. Sigurisht që do të jetë mbi 600 milionë euro, apo 700 milionë, madje mund të arrijë një miliard euro. Për Maqedoninë, këto janë shumë para, por duke pasur parasysh që ne duhet të jemi të pavarur në aspektin energjetik, dhe duhet të investojmë në të”.

    Ministrja shtoi se tashmë po zhvillohen bisedime me investitorët e huaj që janë të interesuar të marrin pjesë në projekt.

    Sipas Bozhinovskës, ndërtimi i Çebrenit është i një rëndësie strategjike për vendin dhe për këtë arsye do të kërkohen kontraktorë me reputacion, që do përfshijnë edhe kompanitë vendase.

    Vlera e parashikuar e investimit paraprak ishte rreth 1 miliard euro, që parashikonte ndërtimin e një hidrocentrali të kthyeshëm në Çebren, me një kapacitet të instaluar të paktën 333 megavat. Hidrocentrali i Çebrenit ishte planifikuar të ketë funksionin e prodhimit të energjisë elektrike, si dhe mënyrën e pompimit dhe kthimit të ujit, i cili do të krijonte një liqen të ri artificial në lumin Crna Reka, i cili parashikohej të jetë më i madhi në vend.

    Ky hidrocentral ka një rëndësi të jashtëzakonshme për tranzicionin energjetik të vendit dhe rajonit, për shkak të mundësisë së balancimit të burimeve të rinovueshme të energjisë.

    Për më tepër, të gjitha këto sisteme të rinovueshme funksionojnë në një kohë të caktuar të ditës dhe për këtë arsye kanë nevojë për një sistem për t’i balancuar ato. Apo një objekt i ri madhor energjetik pritet të jetë në gjendje të balancojë prodhimin e energjisë elektrike nga këto kapacitete të paqëndrueshme prodhuese, si centralet fotovoltaike dhe të erës. Plani ishte që Çebren me një digë 192 metra të prodhojë pothuajse aq energji elektrike sa hidrocentralet e tjera në vend së bashku, ndërsa ndërtimi pritej të zgjasë 7 vjet. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Për çka do të votojnë serbët?

    Lajmi i rradhës

    Mërgimtarët po rrisin çmimin e banesave në Dibër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë