DHUNA NË FAMILJE | Mosbesim në institucione, stigmatizim dhe varësi ekonomike!

    Sipas hulumtimeve në Maqedoninë e Veriut, 60 për qind e grave besojnë se dhuna ndaj grave është e zakonshme, dhe pothuajse tre në dhjetë gra besojnë se kjo është një dukuri shumë e zakonshme. Dhuna në familje ndaj grave është një model i sjelljes kontrolluese nga një partner ose ish-partner, duke përfshirë dhunën fizike dhe seksuale, abuzimin emocional, izolimin dhe abuzimin ekonomik, kërcënimet, frikësimin dhe ndjekjen.

    Në Maqedoninë e Veriut, tre herë më shumë gra, krahasuar me mesataren në vendet e BE-së, mendojnë se dhuna në familje është një çështje private që duhet të mbetet në familje. Ky qëndrim, i kombinuar me mungesën e njohurive për shërbimet ekzistuese të specializuara për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, rezulton në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe të grave.

    Derisa kemi vazhdimisht thirrje për të mos heshtur ndaj dhunës në familje dhe ndihmës në dispozicion, ende një pjesë e madhe e viktimave kryesisht gra nuk guxojnë të raportojnë. Në gati katër vjet që funksionon Qendra për Mbështetjen e Grave në Tetovë, nuk ka ndryshim në numrin e aplikimeve, për dallim nga shifrat reale.

    Ekspertët thonë se mungesa e masave të duhura dhe efikase, veçanërisht ndarja e burimeve të mjaftueshme financiare, e pengon shtetin të arrijë standardin – trajtimin e viktimave të dhunës me bazë gjinore me kujdesin e duhur. Prandaj, Maqedonia e Veriut duhet të rishikojë politikat dhe praktikat e saj, duke marrë parasysh detyrimet e saj, në mënyrë që të parandalohet efektivisht dhuna ndaj grave, si dhe të ndëshkohen ata që kryejnë dhunë.

    Sipas raporteve mosbesimi në institucione, varësia ekonomike, stigma janë vetëm disa nga arsyet. Edhe pse nuk ka strehim për viktimat në rajonin e Pollogut, Qendra për Mbështetjen e gruas thotë se ka mënyra për t’i ndihmuar ata.

    Psikologja Biljana Radiçeska, ka deklaruar se grave të cilat janë viktima në fillim u ofrohet këshillim psikologjik në lidhje me atë që kanë përjetuar, pastaj ndihma juridike falas si dhe ju ofrohet edhe trajnim profesional duke i nxitur dhe motivuar vetën e tyre për të fituar para në mënyrë të pavarur.

    “E gjithë kjo ekziston në vendin tonë, por shumë rrallë inkurajohen të vazhdojnë, sepse vetë mosbesimi në institucione fillon t’i pengojë vetë viktimat, sepse mendojnë se do të dënohen dhe nuk do të kenë sukses në jetë si individ i pavarur”, tha Radiçeska, psikologe në Qendrën për Mbështetjen e gruas – Tetovë.

    Sipas të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS), numri i veprave të regjistruara lidhur me dhunën në familje, vepra më e shpeshtë është sulmi fizik, e ndjekur nga ngacmimi i një tjetri në banesë.

    Burrat janë sërish më të përfaqësuar si kryesit e veprave penale me 84 për qind. Në vitin 2022, numri i ankesave lidhur me dhunën në familje është rritur ndjeshëm. Numri më i madh i ankesave i referohet rasteve të abuzimit psikologjik gjatë dhunës në familje. Përsëri, shumica e autorëve janë burra, pra rreth 82%, ndërsa 66% e viktimave janë gra, zakonisht gratë e kryesve të veprës penale.

    Në disa raste arrihet pajtimi dhe ka raste që përsëriten. Zëdhënësi i SPB Tetovë, Fatmir Rexhepi, ka thënë se të varurit nga droga dhe alkooli shpesh paraqiten si autorë të përsëritur, dhe ka raste sepse është marrëdhënie familjare, palët bien dakord me njëra-tjetrën, por përsëri vijnë e denoncojnë rastin. “Shpeshherë viktimat thonë se e kanë falur rastin dhe kërkojnë të mos kemi ndjekje penale por pas një kohe insistojnë të kryejmë ndjekje penale për autorin e krimit”, deklaroi Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

    Sipas të dhënave të SPB Tetovë, deri në gjysmën e parë të korrikut janë dorëzuar vetëm 46 kallëzime penale dhe 19 njoftime, nga gjithsej 97 raste të raportuara të dhunës në familje, prej të cilave 69 lëndime fizike, 27 kanosje dhe një shkaktimin e lëndimeve të rënda fizike. Vitin e kaluar janë regjistruar 126 vepra të tilla, ndërsa në vitin 2022 – 153, kur ka pasur edhe dy raste me pasoja fatale.

    Sipas statistikave të policisë, në të gjithë vendin gjatë periudhës 2017-2023 është rritur numri i krimeve të dhunës në familje dhe është dyfishuar numri i ankesave. Në vitin 2017 ka pasur 904 vepra penale të dhunës në familje, ndërsa vitin e kaluar 1117. Nëse në vitin 2017 ka pasur 2394 ankesa për lloje të këtij krimi, numri i tyre në vitin 2022 është 4421. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Ljutkov: Agjencia e Filmit ka borxh diku rreth 11 milionë euro

    Lajmi i rradhës

    “78 PËRQINDËSHI” EDHE ME MICKOSKIN! 843 mijë euro në vit vetëm për pagat e ministrave

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë