DHUNA NË FAMILJE / Numri i rasteve të paraportuara, shumë më i lartë

    Raportet e policisë janë plotë me denoncime për dhunën në familje, ndërsa ka raste që regjistrohen më shumë raste të tilla. Viktimat janë zakonisht gra dhe fëmijë, por raportohet edhe për rrahjen e prindërve nga djali apo vajza. Numri i rasteve të paraportuara të dhunës besohet të jetë edhe më i lartë. Ana Avramoska-Nushkova, koordinatore e projektit, këshilltare juridike në Rrjetin nacional kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, “Zëri kundër dhunës” thotë se ka arsye të ndryshme pse viktimat nuk e raportojnë dhunën në polici. “Për sa i përket statistikave zyrtare të Ministrisë së Brendshme, si dhe të Ministrisë së Drejtësisë, dua të theksoj se këto shifra nuk janë të vetmet autoritative për veprat e kryera të dhunës në familje. Gjatë punës sonë, dhe kemi më shumë se 10 vite që punojmë me këtë problem, janë konstatuar një numër i madh i rasteve, të cilat fatkeqësisht nuk raportohen ose viktima e raporton dhe më pas e tërheq raportin”, sqaron ajo.

    Sipas saj, dhuna në familje është një formë specifike e krimit që karakterizohet nga marrëdhënie të ngushta dhe intime ndërmjet personave të përfshirë, kështu që vendimi i viktimës për të raportuar dhunën është një proces kompleks që mund të zgjasë për një kohë të gjatë.

    “Arsye për mosraportimin e dhunuesit është edhe mosbesimi në punën e institucioneve kompetente, dënimi publik nga të afërmit dhe mjedisi, reagimi i dhunuesit në rast se dhuna raportohet, varësia ekonomike si dhe rreziku i të pastrehit për viktimën dhe fëmijët e saj”, tha ajo duke shtuar se sipas hulumtimit gjithëpërfshirës të bërë nga OSBE në vitin 2019 për mirëqenien e grave në Maqedoni, janë marrë të dhëna se janë raportuar vetëm 2% të rasteve që kanë të bëjnë me të gjitha format e dhunës ndaj grave, përfshirë dhunën në familje dhe se “numri gri” i rasteve të paraportuara është i madh.

    Në Raportet e policisë ka raportime, sipas të cilave, autori e ka kërcënuar viktimën më thikë, ka thyer sendet shtëpiake, ka tentuar ta godasë me makinë ish-partneren etj. Së fundmi, ka ndodhur edhe një vrasje ku një burrë mbyti një të re me të cilën ishte në lidhje dashurie.

    GATI LIGJI PËR DËMSHPËRBLIMIN E VIKTIMAVE

    Në ndërkohë, gati është Ligji për dëmshpërblim monetar për viktimat e dhunuara, sipas të cilit, të drejtë për dëmshpërblim kanë viktimat e një krimi nga dhuna, të cilët kanë pësuar cenim të rëndë të shëndetit fizik ose mendor. Viktimë mund të jetë edhe dikush që ka tentuar të parandalojë një krim, ka ndihmuar viktimën ose policinë për të kapur autorin, ose nëse është anëtar i familjes së viktimës që ka humbur jetën për shkak të një krimi të lidhur me dhunën.

    Me ndihmën e këtij Ligji, familja e një gruaje të vrarë është gati të marrë dëmshpërblimin e parë nga shteti, pasi edhe pse viktima është e ndjerë, familja e saj ka paraqitur kërkesë për dëmshpërblim pranë Komisionit përkatës të ngritur nga Ministria e Drejtësisë. Kërkesa është shqyrtuar dhe duhet të plotësohet me disa fakte të tjera përpara se të merret vendimi përfundimtar. Kompensimi maksimal që lejohet të paguhet sipas këtij ligji është deri në 5,000 euro në kundërvlerë në denarë. Organizatat qytetare që punojnë me Qendrat e Strehimit për viktimat e dhunës ndër vite kanë kërkuar që shteti t’u mundësojë viktimave kompensim monetar.

    “Për dallim nga më parë kur viktima edhe pse kërkonte, nuk mund të arkëton asgjë nga autori nëse nuk ka pasuri në emër të tij dhe duke e ditur se procedimi zgjat shumë, tani shteti i ndihmon viktimat për të riparuar pasojat me të cilat janë përballur që nga fillimi i krimit. Kjo është parim i solidaritetit, një hap përpara nga veprimi i mëparshëm ku shteti mbron interesat dhe të drejtat e viktimës dhe mundëson viktimizimin dytësor”, tregon Cvetanka Periq, kryetare e Komisionit për kompensim monetar për viktimat e krimeve të dhunshme.

    PESË VRASJE TË DHUNSHME VITIN E KALUAR

    Komisionit i janë dorëzuar edhe dy kërkesa për dëmshpërblim, por të njëjtat u refuzuan në seancën e mbajtur më 7 nëntor. Të tria kërkesat janë dorëzuar në periudhën nga shtatori deri në dhjetor 2023, por nuk janë shqyrtuar për shkak që Komisioni ishte në pritje të formimit. I njëjti u themelua në shkurt të këtij viti, ndërsa zyra për punë ka marrë vetëm në mes të tetorit. Në vitin 2023 janë kryer pesë vrasje që shkak e kanë patur dhunën në familje. Ndër to janë edhe vrasjet në Koçan dhe Kumanovë, në rastin e parë një 46-vjeçare, e cila ishte goditur për 40 herë me thikë nga partneri i saj, i cili prej kohësh e shantazhonte se do të publikonte materiale komprometuese. Në Kumanovë, një 46-vjeçar vrau gruan dhe nënën e saj.

    Pritshmëritë e Komisionit janë që më së shumti kërkesa të vijnë nga viktimat e dhunës në familje. Me ndryshimet e fundit në Kodin Penal në shkurt të vitit 2023, femicidi u bë krim më vete në Maqedoninë e Veriut. Sipas ndryshimeve ligjore, gjykata mund të caktoj edhe burgim të përjetshëm për vrasjen me dashje të një gruaje apo vajze me torturë ose lëndim të rëndë trupor të shkaktuar nga urrejtja.

    Ndryshe, pagesa e dëmshpërblimit për viktimat e dhunës është një praktik ndërkombëtare që zbatohet edhe në vendet e BE-së. Një direktivë e Këshillit të Evropës e vitit 2014, e cila u pranua gjithashtu edhe nga anëtarët e BE-së, kërkon që çdo shtet anëtar të krijojë një skemë kombëtare kompensimi për të gjitha viktimat e krimit të dhunshëm dhe të qëllimshëm. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    ARSIMI NË RMV PËRTOKË!

    Lajmi i rradhës

    TELASHET ME TEKNOLOGJITË DIGJITALE / Gjysma e firmave në RMV me barriera ligjore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë