Dhuna seksuale dhe fizike vazhdon të mbetet një temë tabu në Maqedoninë e Veriut. Vetëm në kryeqytet raportohen mesatarisht 50 deri në 60 raste në vit, por numri real mendohet të jetë shumë më i lartë. Shumë viktima zgjedhin të heshtin dhe rrallëherë kërkojnë ndihmë, shpesh nga frika, turpi ose mungesa e informacioneve për të kërkuar ndihmë. Pak njerëz janë të vetëdijshëm se ekzistojnë Qendra për mbështetjen e viktimave në tre qytete të ndryshme, ku ata mund të marrin ndihmë profesionale dhe mbështetje emocionale.
“Fatkeqësisht, si viktimat e dhunës seksuale, ashtu edhe vetë institucionet, nuk janë të informuara për ekzistencën e Qendrave për asistencë dhe mbështetje për viktimat, megjithëse këto Qendra janë themeluar që në vitin 2018 në tre qytete”, u tha gjatë mbledhjes së Grupit të Punës, të krijuar në kuadër të Rrjetit Kombëtar për Shëndetësi kundër Dhunës, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.
“Për këtë arsye, duhet urgjentisht të përmirësohet procedura për funksionimin dhe informimin rreth Qendrave për viktimat e dhunës seksuale”.
Qendrat e ndihmës ekzistojnë në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë dhe janë në kuadër të spitaleve të përgjithshme në të dy qytetet dhe në kuadër të Klinikës për Gjinekologji dhe Obstetrikë në Shkup. Këto Qendra ofrojnë ndihmë fillestare për viktimat, të cilat inkurajohen të paraqiten dhe të raportojnë dhunën.
Sipas Elena Dimusevska, drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit Kombëtar, dhuna seksuale është një nga format më pak të raportuara të dhunës në vend.
“Përvoja që nga krijimi i këtyre Qendrave ka treguar se jo vetëm që viktimat, pra popullata e përgjithshme, nuk kanë njohuri, nuk kanë informacion se këto qendra ekzistojnë, por edhe vetë institucionet nuk i përdorin ato në numër të mjaftueshëm. Hulumtimi ynë që publikuam në vitin 2024 tregoi se më pak se një e treta e viktimave i përdorin këto shërbime”, thotë ajo.
Hulumtimi tregoi se një e treta e numrit të përgjithshëm të viktimave të dhunës seksuale dhe përdhunimit që përfundimisht përdorën shërbimet e qendrave – ishin viktima të mitura. Kishte një numër jashtëzakonisht të vogël të viktimave në moshë që u dërguan atje. Ndonëse dy vite më parë, me ndryshimet në Kodin Penal, përdhunimi bashkëshortor është një nga format e dhunës seksuale, fatkeqësisht ende nuk njihet si formë e dhunës ndaj viktimave.
“Dhuna seksuale është ende një temë tabu, sikur ka rezistencë për të folur për të”, thotë Dimusevska. Është thelbësore që viktimat e dhunës seksuale të mund të kërkojnë ndihmë edhe pa e raportuar rastin në polici.
“Duhet t’i japim viktimës të drejtën të denoncojë kur ndjehet gati, por kjo nuk duhet të na pengojë të mbledhim dhe ruajmë provat, si dhe të ofrojmë mbështetje”, thonë në Rrjeti Kombëtar për Shëndetësi kundër Dhunës.
Ndryshe, vetëm në Shkup raportohen mesatarisht 50-60 raste në vit, por shifrat reale janë shumë më të larta. Sipas OSBE-së, vetëm 2% e viktimave e raportojnë dhunën.
“Nëse këto 50-60 raste përfaqësojnë vetëm 2%, atëherë mijëra gra, vajza dhe të mitura kanë nevojë për ndihmë, por nuk dinë ku ta kërkojnë”, thotë Dimusevska. /Koha/