Dibër, gropa në mes të rrugës që nuk mbyllet dot!

    Janë duke kaluar vite të tëra, por institucionet kompetente në aktivitetet e tyre ngecin kur është në pyetje siguria në komunikacion në rrugët që lidhin Dibrën me qytetet e rajonit. Derisa në aksin rrugor Dibër-Strugë pas asfaltimeve të reja që u bënë para disa viteve, problematike është rruga në lokalitetin Tre Çezmat ku në kontinuitet ka rrëshqitje të gurëve, në aksin rrugor Dibër-Mavrovë situata është shumë shqetësuese.

    Në këtë aks, duke filluar nga Ura e Melniçanit e deri tek Ura e Rostushës, jo vetëm që ka rrëshqitje të gurëve dhe të dheut – edhe atë për çdo ditë, një problem shumë serioz është hapja e gropës në mes të rrugës në afërsi të Urës të Melniçanit. Nga një gropë me perimetër të vogël, sot ajo zgjeruar dhe drejtpërdrejt rrezikon pjesëmarrësit në komunikacion. Për problemin në fjalë kanë debatuar edhe institucionet lokale dhe Shtabi komunal i Dibrës – edhe atë disa herë.

    Përfaqësues të Ndërmarrjes të Rrugëve Shtetërore kanë informuar se për problemin e gropës është biseduar shpeshherë, e kanë vizituar edhe shumë ekspertë, por meqë nuk ndërmerret asgjë, vlerësohet se nuk dihen ende shkaqet kryesore të hapjes së gropës e cila tani ka një perimetër prej më shumë se 10 metrave.

    Nga burime të institucionit në fjalë merret vesh se bëhet fjalë për ujëra nëntokësor që janë prezent në këtë lokalitet i cili është faktikisht mbi ujërat e Liqenit të Dibrës. Po ashtu, mbi këtë pjesë të rrugës kalon edhe tubacioni kryesor i ujësjellësit Rosok-Dibër. Gjatë vizitës së këtij lokaliteti, ku në rrugë ka rregullisht edhe rrëshqitje të gurëve, pamë edhe një burim i cili derdhet në ujërat e Liqenit i cili është në afërsi të gropës. Frika për sigurinë kur kalohet në këtë pjesë të rrugës është e madhe tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion. Kompetentët kanë zgjeruar rrugën në këtë pjesë, por nuk kanë ndërmarrë asnjë aktivitet tjetër për sanimin e gropës dhe rrugës në tërësi.

    Para dhe pas gropës të madhe, rrëshqitjet e gurëve janë të çdo ditshme dhe rreziqet janë të mëdha. Vite më parë, gjatë një kontrolli të kësaj rruge me pjesëtarë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, është konstatuar se kjo pjesë e rrugës paraqet një rrezik të madh.  

    Edhe institucionet lokale të Dibrës në disa raste kanë kërkuar aktivitete të kompetentëve për të vendosur siguri në komunikacion, por deri tani asgjë nuk është ndërmarrë. Frekuenca në këtë rrugë që lidh Dibrën me Mavrovën, Gostivarin, Tetovën dhe Shkupin është e madhe, meqë këtu kalojnë një numër i madh i banorëve të Dibrës, Zhupës, Rekës, por edhe nga Shqipëria, të cilët vijnë nëpërmjet Rrugës të Arbërit nëpër vendkalimin kufitar “Blatë” dhe udhëtojnë drejt Shkupit. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Mjeku Çibishev: RMV duhet t’i kushtojë më shumë kujdes shëndetësisë

    Lajmi i rradhës

    Prishtinë, Shkup …, aty ku ushqimi dhe pija kushton më pak

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë