Komuna Dibër i ka ndërmarrë të gjithë aktivitetet për të themeluar Këshillin Rinor lokal, por deri sot – ky Këshill nuk është themeluar. Në lidhje me problemin është debatuar edhe në një seancë të Këshillit komunal, ku udhëheqësia lokale ka informuar këshilltarët se komuna ka shpallur dy konkurse për themelimin e Këshillit në fjalë, por sipas tyre, interesimi i shoqatave qytetare dhe të rinjve ka qenë minimal. Këshilli Rinor vonohet, por komuna ka kumtuar se shumë shpejt do të shpallet edhe konkursi i tretë me qëllim që të realizojë këtë obligim ligjor që është në interesin e të rinjve.
Edhe sekretari i Komunës Dibër, Ylli Mirzo, ka konfirmuar para këshilltarëve komunal se në shpalljet e publikuara nuk ka pas interes të nevojshëm nga ana e shoqatave qytetare dhe të rinjve për të marrë pjesë në themelimin e Këshillit.
“Duke marrë parasysh se kemi obligim ligjor për të themeluar Këshillin Rinor, në kohën e caktuar dhe me kriteret e përcaktuara, kemi shpallur konkursin. Kemi kontaktuar edhe me shoqata, por interesim të mjaftueshëm nuk ka patur. Duhet një pjesëmarrje e caktuar për themelim, por kjo nuk ka ndodhur. Pushteti vendor shpalli edhe konkurs të dytë, por edhe në këtë konkurs nuk ka patur numër të mjaftueshëm të paraqitur”, tregon Mirzo, ndërsa shton se shumë shpejt do të ketë shpallje të tretë.
Ai kërkoi nga këshilltarët komunal e të gjitha partive të apelojnë tek shoqatat dhe tek gjeneratat e reja, që të paraqiten në shpalljen e tretë, me qëllim që edhe Dibra të themelojë Këshillin Rinor lokal.
Komuna tërësisht do të ndihmojë në themelimin e Këshillit në fjalë dhe do të jetë gati edhe të financojë aktivitetet e Këshillit në përputhje me ligjin. Nga ana e disa këshilltarëve komunal u theksua fakti se formimi i Këshillit Rinor ka një domethënie të madhe në lidhje me ndikimin e rinisë në planifikimin e ardhmërisë së komunës. Në debat u konkludua se formimi i këtij Këshilli është një mundësi e madhe që të rinjtë dibran të angazhohen në planifikimin dhe sjelljen e vendimeve, sidomos për jetën e tyre në qytet, por edhe ne vendbanimet rurale.
Ndikimi i këtij Këshilli Rinor do të jetë shumë i madh, por njëkohësisht edhe pushteti vendor edhe këshilltarët dëshirojnë një angazhim shumë më të madh të rinisë në jeton politike, ekonomike, kulturore dhe sportive në Komunën e Dibrës, thanë këshilltarët.
Në lidhje me situatën në fjalë, biseduam edhe me përfaqësues të shoqatave qytetare që veprojnë në Dibër dhe fshatrat e saj, ku ka edhe të rinj. Ata thonë se rrjedhat ekonomike dhe politike në qytet, por edhe në vend kanë një ndikim tek të rinjtë, të cilët më shumë janë të përcaktuar për të marrë rrugën e mërgimit në krahasim me angazhimin e tyre në vendlindje. Sipas disa udhëheqësve të shoqatave, qëndron edhe fakti se një numër i caktuar i të rinjve as nuk marrin pjesë në aktivitetet politike, kurse në shoqatat qytetare, ka një rrënje të numrit të të rinjve. Aktualisht, kur realizohen aksione ekologjike, por edhe aktivitete të tjera në komunë, prezenca e rinisë sigurohet nëpërmjet shkollave e jo nëpërmjet shoqatave qytetare siç ka qenë më parë.
Ka të rinj në disa shoqata, por në krahasim me nevojat – numri i tyre është i vogël. Por pritet që me një angazhim më të madh të të gjithë kompetentëve, shpallja e tretë të tërheq më shumë të rinj dhe më në fund të realizohet themelimi e Këshillit Rinor në Dibër. /Koha/