Dibër, vullnetarizmi gjithnjë e më shumë në rritje

    Vitet e fundit, vullnetarizmi në Dibër ka shënuar rritje të dukshme dhe suksese evidente. Të rinjtë marrin pjesë masivisht në aktivitete të ndryshme të shoqatave dhe institucioneve arsimore, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në fushat e humanizmit, ekologjisë, edukimit dhe veprimtarive të tjera komunitare. Aktualisht, rezultatet më të mira në fushën e vullnetarizmit vijnë nga Organizata Komunale e Kryqit të Kuq, shoqatat qytetare dhe shkollat fillore e të mesme të qytetit.

    Në Organizatën Komunale të Kryqit të Kuq në Dibër theksojnë se numri i vullnetarëve është në rritje të vazhdueshme. Udhëheqësia e organizatës, e cila së fundmi shënoi Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, vlerëson se gjatë dhjetë viteve të fundit është rritur ndjeshëm interesi i të rinjve për t’u angazhuar në aktivitete vullnetare.

    “Organizata jonë realizon një sërë aktivitetesh humanitare, ku marrin pjesë shumë vullnetarë, kryesisht të rinj. Jemi të kënaqur me numrin e tyre dhe shpresojmë që ky trend të vazhdojë”, tha për gazetën Koha sekretari i Kryqit të Kuq në Dibër, Isni Telqiu.

    Sipas tij, aktualisht organizata ka mbi 50 vullnetarë aktivë, ndërsa gjatë viteve të kaluara numri i të evidentuarve ka kaluar mbi 200. Telqiu theksoi se vullnetarizmi është një shtyllë e fuqishme e komunitetit, me karakter të theksuar edukativ, që ndihmon në ngritjen profesionale të të rinjve. Gjatë pandemisë së Covid-19, vullnetarët e Kryqit të Kuq luajtën rol vendimtar në ndihmën ndaj familjeve në nevojë, duke ofruar ushqime, mbështetje logjistike dhe medikamente.

    Një numër i konsiderueshëm vullnetarësh veprojnë edhe në shoqatat qytetare të Dibrës. Këto shoqata raportojnë se kanë rreth 100 vullnetarë aktivë, të cilët angazhohen kryesisht në ndarjen e ndihmave humanitare.

    “Kemi mbi 20 vullnetarë në Dibër që shpërndajnë ndihma për familjet në nevojë. Ata janë të përkushtuar dhe shumë korrektë”, theksojnë përfaqësues të shoqatave dibrane që funksionojnë në SHBA. Dashi Miftari, aktivist i njohur në komunitetin dibran në Nju Jork, thotë se shumë prej aktiviteteve humanitare realizohen falë bashkëpunimit me vullnetarët në Dibër.

    “Janë vullnetarë të denjë dhe të palodhur”, u shpreh ai.

    Edhe shoqatat e mërgimtarëve dibran në Itali dhe Zvicër vlerësojnë lartë punën e vullnetarëve në vendlindje, të cilët kontribuojnë rregullisht në realizimin e projekteve të tyre humanitare.

    Bedri M., një vullnetar aktiv, thotë: “Kam më shumë se tre vite që marr pjesë në aktivitete humanitare dhe kjo për mua është një kënaqësi e madhe”.

    Ndërsa Adelina S., një gjimnaziste dhe aktiviste e Kryqit të Kuq, thekson: “Në shpirt jam vullnetare. Jam dhe do të mbetem e tillë”. Shumë aktivitete vullnetare zhvillohen edhe nëpër shkollat e Dibrës, duke kontribuar në edukimin qytetar dhe zhvillimin personal të nxënësve, si dhe duke i nxitur ata që nga mosha e re të jenë aktivë në komunitet. Vullnetarizmi në Dibër po dëshmon se forca e komunitetit qëndron tek solidariteti, përkushtimi dhe angazhimi i qytetarëve të tij – veçanërisht i të rinjve.

    Lajmi Paraprak

    Kanabisi mjekësor, vendimi i Trump-it hap debat në Maqedoninë e Veriut

    Lajmi i rradhës

    Bëri shqiponjën në Podgoricë: edhe pse fitoi finale, pingpongisti kosovar eliminohet nga gara

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë